Zyra Rinore Ballkanike Synon të Prishë Ndasitë e Kohës së Luftës

Djordje Bojoviq ishte vetëm 19 vjeç dhe plot frikë kur vizitoi herën e parë Kosovën. Edhe pse kishte katër autobusë që bënin çdo ditë rrugën Beograd-Prishtinë, serbi i ri nuk dëshironte të merrte këtë udhëtim gjashtë orë të gjatë.

“Kosova është diçka vërtet e paprekshme për brezin tim,” tha Bojoviq.

“Më shumë serbë ka në Nju Jork sesa në Prishtinë.”

Si një ish-provincë e Serbisë, Kosova u nda nga ajo me luftë në vitin 1999 dhe shpalli pavarësinë në vitin 2008. Vite të tëra konflikt, si konflikt politik ashtu edhe fizik, kanë shkaktuar presione të mëdha midis popullit serb dhe atij të Kosovës.

Kur një program shkëmbimi akademik e dërgoi Bojoviqin të studionte në Prishtinë, ai kaloi kufirin me kujdes, madje duke i thënë shoferit të taksisë se ishte austriak në përpjekje për të fshehur kombësinë e tij serbe.

Por në momentin që programi mbaroi, katër javë më vonë, Kosova më dukej si një shtëpi e dytë.

“Atje kalova kohën më të mrekullueshme të jetës time. Radhë në dashuri me qytetin dhe njerëzit, theva të gjitha paragjykimet dhe stereotipet e mia,” tha Bojoviq.

“Edhe fjalëkalimi i telefonit tim është 2013, vera kur ndodhi e gjithë kjo.”

Programet e shkëmbimit për studentët, si ai në të cilin mori pjesë Bojoviq, janë vërtetuar se janë një mjet tepër i fuqishëm për riparimin e ndasive të gjata rajonale në Ballkanin Perëndimor.

Shumë të rinj në rajon janë rritur me tregime që i përshkruanin shtetet fqinje si armike. Fëmijët që lindën gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë tani janë në të pesëmbëdhjetat apo njëzetat e tyre.

Edhe pse ata ishin tepër të rinj për të përjetuar luftërat e viteve 1990, historitë e treguara nga prindërit e tyre, librat e historisë dhe pamjet në televizor kanë injektuar një ndjesi ndryshe frike ndaj atyre që jetojnë matanë kufirit.

“Para se të shkoja në Kosovë, isha plot urrejtje që nga mësimi i parë i historisë e deri te lajmet e fundit që pashë në televizion,” shprehet Bojoviq.

“Programet e shkëmbimit të japin një tjetër perspektivë duke të dhënë mundësinë për të takuar “të tjerët”, ata që të kanë mësuar se janë armiqtë e tu.”

Qeveritë nënshkruajnë

Një nismë e re e sponsorizuar nga qeveria po përpiqet të krijojë një sistem të institucionalizuar të programeve të shkëmbimit për studentë për të rilidhur të rinjtë e Ballkanit Perëndimor.

http://kallxo.com/ballkani-provon-paqen-bashkepunim-te-rinise/

Të hënën, kryeministrat e Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë të hënën nënshkruan miratimin e ngritjes së Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO) – një ide bazuar në një projekt pajtimi për të risjellë më pranë rininë franceze dhe gjermane pas Luftës së Dytë Botërore.

RYCO do të financojë dhe lehtësojë programet e shkëmbimit midis shteteve pjesëmarrëse. Shkolla, organizata dhe individë do të jenë në gjendje të aplikojnë për një sërë grantesh dhe programesh si në arsim dhe hulumtim, aktivizëm, kulturë dhe sport.

Deri më tani, këto programe shkëmbimi ndër-kufitare janë dhënë vetëm nga organizata joqeveritare dhe kanë hasur kufizime të konsiderueshme në shtrirje dhe kapacitet.

“Ne e shohim ngritjen e RYCO si një mundësi për të pasur një ndryshim të vërtetë në rajon,” tha Anita Mitiq, drejtoresha e Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut (YIHR) në Serbi, një OJQ që ka lehtësuar programet ndër-rajonale të shkëmbimit në Ballkan gjatë 13 viteve të fundit.

“Shumica e pjesëmarrësve tanë në YIHR ishin mendje hapur dhe të interesuar për të mësuar më shumë për anën tjetër. Tani që ky proces po kalon në nivel qeveritar, do të thotë që shkollat dhe universitetet do të jenë në gjendje të investojnë më shumë para për të organizuar shkëmbime rinore, dhe kjo është hapësira ku njerëzit që janë vërtet mendje hapur mund të ndryshohen,” shtoi Mitiq.

Mitiq tha se në Ballkan mund të lindin ende papritur tensione për shkak se nuk janë bërë mjaftueshëm lëvizje drejt pajtimit. Ajo citoi atë që ndodhi në ndeshjen e futbollit midis Serbisë dhe Shqipërisë në vitin 2014 pasi një flamur që lexonte “Shqipëri e madhe” u ngrit mbi fushë, një incident që shkaktoi reagime të ashpra në të gjithë rajonin, siç ishte djegia e furrave shqiptarë në Serbi, sulmi me gurë i ambasadës shqiptare në Mal të Zi dhe tubimet nacionaliste në Shqipëri.

“Mjafton një gjë e vogël dhe gjërat shkatërrohen kaq shpejt,” tha Mitiq duke kërcitur gishtat e saj.

“Por kur kombi ka një emër, një mbiemër, një fytyrë dhe ndoshta disa kujtime të bukura bashkë, atëherë ti e ndryshon mënyrën si e shikon atë.”

Zyra Rinore Franko-Gjermane u themelua në vitin 1963 si pjesë e Traktatit të Elizesë të miqësisë midis Francës dhe Gjermanisë. Programet e shkëmbimeve studentore luajtën një rol tepër të rëndësishëm në shpërbërjen e armiqësisë midis këtyre ish-vendeve armike dhe zyra punon edhe sot. Më shumë se tetë milion njerëz kanë marrë pjesë në rreth 300,000 programet e saj.

Tani kjo zyrë do të sjellë në Ballkan dijen dhe eksperiencën që ajo ka fituar, duke shërbyer si një moderatorë zyrtare e RYCO, duke ofruar ndihmë teknike, financim dhe mbi të gjitha monitorim të zbatimit dhe performancës së saj.

Ndërlikime politike

Ndërkohë që ka shumë vrull dhe mbështetje pozitive për zyrën e re, ata që janë të përfshirë mbeten realistë për situatat aktuale sociale dhe politike në Ballkan. Dy nga gjashtë vendet pjesëmarrëse, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur.

Marrëveshja e shkruar për ngritjen e RYCO është formuluar me kujdes si një deklaratë të përbashkët midis “kryeministrave të pjesëmarrësve të Ballkanit Perëndimor”, duke shmangur çdo fjalë që do të afirmonte apo mohonte kërkesën e Kosovës për shtetësi.

Çështja më e menjëhershme që paraqet kjo ka të bëjë me udhëtimin në rajon.

“Bosnja dhe Hercegovina nuk e njeh Kosovën si shtet dhe procedurat për marrjen e një vize janë shumë të ndërlikuara dhe të kushtueshme,” shpjegoi Rasim Ibrahimagiq, një aktivist i shoqërisë civile nga Bosnja dhe Hercegovina.

Dy mungesa të dukshme në RYCO janë Sllovenia dhe Kroacia.

Edhe pse këto dy shtete ish-jugosllave janë tashmë pjesë e Bashkimit Europian, ka ende të pambaruar një sasi të konsiderueshme pajtimi, sidomos në Kroaci.

Morana Starceviq, drejtoresha ekzekutive e YIHR në Kroaci, tha se ishte e rëndësishme që Kroacia të bëhet pjesë e RYCO.

“Një studim nga Instituti për Hulumtime Sociale në Kroaci tregoi se rinia ka një distancë të madhe sociale ndaj grupeve të caktuara etnike, si serbët, romët dhe shqiptarët, gjë e cila është shumë problematike,” tha Starceviq.

Një grup prej 20 organizatash të shoqërisë civile kroate kanë formuar Koalicionin për Pjesëmarrjen e Kroacisë në RYCO për të lobuar me qeverinë e Zagrebit.

“Duke mbështetur këtë nismë, Kroacia do të ndiqte shembujt më të mirë europian për trajtimin e të kaluarës së hidhur dhe duke pritur një të ardhme më të mirë e cila ndërtohet nëpërmjet bashkëpunimit rajonal,” tha Starceviq.

Në zemër të saj, RYCO synon krijimin e miqësive dhe rivendosjen e lirive që mori lufta.

“Është vërtet bukur kur mund të shkosh në çdo kryeqytet dhe përsëri të ndihesh si në shtëpi,” tha Bojoviq.

“Ne dëgjojmë të njëjtën muzikë, hamë të njëjtin ushqim, pimë të njëjtën birrë… Praktikisht, jemi njësoj, dhe ajo që është më e rëndësishmja, e kuptojmë njëri-tjetrin pa pasur nevojë për përkthim.”

Mitiq pranoi: “Besoj se të gjithë duhet të jenë në gjendje të jetojnë jetët që ne po jetojmë, të kenë miq kudo, të mund të lëvizin për një fundjavë, të argëtohen e të kthehen përsëri,” tha ajo.

“Të gjithë të rinjtë në rajon e meritojnë këtë lloj jete. Sepse është një jetë e mirë.”

 

Carolyn Paletta është një nxënëse e Programit SIT për Studime jashtë vendit Serbi, Bosnje dhe Kosovë: Studimet mbi Paqen dhe Konfliktin në Ballkan. Ky artikull u shkrua si një Projekt i Pavarur Studimor në Gazetari.