Hikmete Imeraj (djathtas), në kohën kur ofronte siguri për osh Presidenten Atifete Jahjaga. Foto: Facebook.

Truproja

Si gruaja e parë që u bë pjesë e Sektorit për Mbrojtje të Afërt të Policisë së Kosovës, aftësitë në karate dhe një fëmijëri e kaluar në fermë e bënë Hikmete Imerajn person ikonik të sigurisë presidenciale.

Ajo është shpesh në periferi të vëmendjes mediatike: një vezullimë flokëverdhë që lëviz shpejtas nëpër turma njerëzish duke ndjekur cakun e saj me kujdesi. Zakonisht e veshur krejt në të zezë me një çehre të pandjeshme në fytyrën e saj pa makijazh, ylli i mëhershëm i karatesë të ndjell frikë.

NDËRLIDHUR

Hikmete Imeraj është mbase policja më e shqueshme në Kosovë, megjithëse ajo ndonjëherë ngatërrohet nga njerëzit si truprojë personale meqenëse shpesh qëndron pranë ish-presidentes së Kosovës, Atifete Jahjagës.

Gjatë dhjetë viteve të fundit, Imeraj ka ndenjur në krahë Jahjagës brenda Kosovës dhe përtej kufijve të saj.

Vajza e karatesë

Historia e Imerajt fillon në fshatin e vogël të Uçës së Istogut. Ajo qe njëra ndër nëntë fëmijët në familjen e saj, dhe ishte shumë e afërt me babanë e saj, Mehmetin, i cili e merrte me vete për të punuar në ara.

“Më pëlqente të punoja me babanë tim – unë e punoja tokën. Çdo punë që bëja në fshat, e pëlqeja. E ndihmoja babanë me lopët duke u kujdesur për to”, tha 40 vjeçarja Imeraj. “Bëja secilën punë që e bënte një burrë fshati”.

Jeta në Uçë ishte e vështirë – dhe e rrezikshme – sidomos gjatë viteve të 90-ta kur shqiptarët e Kosovës jetonin nën okupimin serb. Shkollat shqipe u mbyllën nga qeveria sunduese serbe, kështu që Imeraj dhe shokët e saj të klasës u detyruan të mësonin në shkolla të improvizuara, zakonisht në shtëpi private.

Në mëngjesin të 31 janarit të vitit 1992, ndërsa ajo dhe tri kushërirat e saj shkonin në një shtëpi-shkollë për t’i ndjekur mësimet, ato u ndaluan nga një grup policësh serbë që patrullonin zonën. Ata i pyetën nxënëset se nga shkonin – ata e kuptuan se ishin nxënëse pavarësisht tentimit që bënë për t’i fshehur librat poshtë xhaketave të tyre.

Fëmijët nuk pranuan të tregonin se ku mbaheshin mësimet private.

Policët filluan ta rrihnin Imerajn dhe shokët e saj me shkopinj gome. Një grua që ndodhej afër i pa rrahjet nga dritarja e kuzhinës së saj dhe i tregoi bashkëshortit të tij dhe burrave tjerë që hanin mëngjes. Burrat nxituan te fëmijët për t’u ndihmuar, duke iu përshpirtur policëve që të ndalen së rrahuri fëmijët e pafajshëm. Fëmijët disi u lëshuan dhe ndërsa Imeraj largohej, ajo pa njërin nga policët duke shkrepur plumb në fytyrën e njërit prej burrave.

Ajo më vonë mori vesh se që të tre burrat që u përpoqën ta shpëtojnë atë dhe shokët e saj ishin vrarë. Një dokumentar i quajtur Gjak mbi Abetare i prodhuar nga RTK-ja në vitin 2009 paraqet Imerajn si njërën nga personazhet, dhe dokumentari është shfaqur sërish në televizion në 25 vjetorin e vrasjeve.

Ishte një çast në jetën e Imerajt që kurrë nuk e ka lënë mendjen e saj.

Dy vite më vonë, Imeraj la fshatin e familjes së saj dhe u zhvendos në Prishtinë vetëm. Ajo u regjistrua në Universitetin e Prishtinës dhe u dashurua me filozofinë dhe sociologjinë, sidomos me veprat e Sokratit dhe Kantit.

“Mendoj se sociologjia ka të bëjë me atë se si të punosh dhe si të lidhesh me njerëz. Më ndihmon shumë,” ajo tha teksa gjerbte një espreso në një mbrëmje të vonë pasi kreu orarin me ish-presidenten Jahjaga.

“Kur rritesha, punoja shumë në fshat dhe e doja atë punë. Më ndihmoi jashtë mase, më bëri të fortë dhe më bëri t’i kuptoja shumë gjëra, përfshirë njerëzit dhe si t’u ndihmoj njerëzve.”

Ajo tha se studimi i filozofisë dhe sociologjisë, “të mëson se si t’i dëgjosh njerëzit, si të japësh këshilla, si t’i ndihmosh ata, dhe si ta shpëtosh vetën nga njerëzit. Është një mënyrë shumë e mirë për mua dhe më ka ndihmuar shumë në punën time të sigurisë”.

Hikemete Imeraj gjatë një dyluftimi në karate në fund t♪7 viteve 1990.

Ajo po ashtu stërvitej në karate ndërmjet ligjëratave pranë Klubit të Karatesë të Prishtinës, ndonjëherë dy herë në ditë.

“Karateja më ndihmoi në punën time”, tha Imeraj. Ajo dhe bashkëanëtarët e saj bënë shumë stërvitje – vrapimet herët në mëngjes në parkun e Gërmisë ishin të rëndomta, edhe kur binte borë, dhe stërvitjet në ndërtesa të braktisura në Prishtinë kur nuk lejoheshin të shkonin në klub të Karatesë sepse e kishin mbyllur atë.

Anëtarët tjerë të klubit, sidomos vajzat më të reja, e respektonin shumë Imerajn, sidomos pasi u bë instruktore.

“Ajo ishte shumë e fuqishme, ishte vajza më e fuqishme në klub”, kujton Marigona Beadini, 31 vjeçare, police e njësitit special, e cila ishte 11 vjeçe kur nisi të shkonte në klubin e karatesë dhe pa Imerajn për herë të parë.

Kryetari i federatës së karatesë i dorëzon Hikmete Imerajt medalje në vitet 1990.

“Më kujtohet kur isha e vogël, [pyesja veten]: a mund të rritem unë dhe të bëhem e fortë sikur Hikmetja?”

Beadini më vonë u bë kampione e boksit në Kosovë dhe instruktore e ‘Krav Magasë’, një teknikë intensive e luftimit nga afër e zhvilluar për Forcat e Sigurisë së Izraelit, për njësitin e saj të forcave speciale, i cili është kryesisht i përbërë nga burrat.

Në vitin 1998, situata e sigurisë në Kosovë ishte përkeqësuar. Njësitet guerile të UÇK-së, kryesisht në rajonin e Drenicës, sulmonin policinë Serbe dhe njësitet ushtarake, të cilët më vonë hakmerreshin ndaj popullatës civile. Për muaj me radhë, rrugët mbetën të bllokuara për shkak të pikave policore të kontrollit.

Prapëseprapë, Imeraj, e cila studionte në Prishtinë, tha se ndiente detyrën për t’u kthyer në vendlindje, pra vazhdoi të udhëtonte drejt Uçës aq shpesh sa mundte. Kur rrugët ishin të mbyllura, ajo shkonte nëpër udhët e rrezikshme të Kosovës veriore dhe Malit të Zi për t’u kthyer në fshatin e saj.

Ishte e rrallë, sidomos për një grua të re, të udhëtonte nga Prishtina në fshatra të largëta gjatë kohës së luftës. Imeraj kujton se nuk shihte thuajse asnjë njeri jashtë gjatë luftës në lagjen e Bregut të Diellit të Prishtinës, e lëre më duke udhëtuar jashtë qytetit.

“Nuk frikohesha. Nuk çaja kokën për asgjë”, tha Imeraj kur u pyet për udhëtimet e rrezikshme që i bënte për ta parë familjen.

Disa miq të saj nga klubi i karatesë iu bashkuan UÇK-së, dhe Imeraj pretendon se aftësitë marciale i ndihmuan ata dhe bashkëluftëtarët e tyre. Sidoqoftë, disa nga miqtë e saj humbën jetën në luftë.

Diku një muaj pasi NATO-ja bëri një varg sulmesh ajrore në Kosovë gjatë marsit të vitit 1999, Imeraj dhe dy shokët e saj ikën për në Maqedoni, duke i ndjekur gjurmët e më se 800.000 shqiptarëve tjerë. Por, ndryshe nga bashkatdhetarët e saj, ajo iku pa familjen e saj.

Sipas Imerajt, ajo ishte në trenin e fundit që la Prishtinën në prill të vitit 1999. Ajo kaloi afërsisht tri javë në një njërin nga kampet e refugjatëve në Stakovec, dhe pastaj një muaj tjetër apo dy në një fshat në Tetovë para se të kthehej në Kosovë.

Me të kthyer në Kosovë, ajo mori vesh se ndërsa e ëma, i ati dhe katër vëllezërit e saj fshiheshin në bjeshkët e Malit të Zi dhe Shqipërisë gjatë luftës, forcat serbe të sigurisë kishin djegur shtëpinë e tyre në Uçe dhe pjesa më e madhe e gjërave të tyre nuk ishin më.

Hikmete Imeraj në fotografi me instruktoren një policore kanadeze të UNMIK-ut

Gjetja e thirrjes së saj: Policia e Kosovës

Pasi u diplomua, Imeraj vendosi të qëndronte në Prishtinë. Në verë të vitit 1999, njëra nga miket e saj i erdhi dhe e pyeti se a donte të t’i bashkohej forcave të reja të policisë.

“Tallesh me mua?” ia tha Imeraj duke qeshur. Mikja ia dha asaj njërin nga katër aplikacionet që kishte me vete.

Imeraj nuk mendoi gjatë dhe e mbushi aplikacionin dhe e dorëzoi përmes një dritareje të vogël në një ndërtesë në qendër të Prishtinës, e cila sot ende është qendra kryesore e Policisë së Kosovës.

E themeluar pas luftës, Policia e Kosovës ishte një institucion i ri që rekrutonte kadetë të rinj për t’i mbushur pozitat.

Pak kohë pasi dorëzoi aplikacionin, Imeraj u intervistua nga këshilltarë ndërkombëtarë policorë të UNMIK-ut, dhe në nëntor ajo u përzgjodh ta fillonte trajnimin në akademinë e Policisë së Kosovës në Vushtrri.

“Si fëmijë më pëlqente [ideja e të qenit ushtare]. Kurrë nuk kam menduar për policinë. [Kam menduar] Vetëm të bëhem ushtare”, tha Imeraj duke nxjerrë një grumbull fotografish nga xhaketa e saj.

Të gjitha ishin fotografi të Imerajt kur ishte kadete e re e policisë. Në njërën nga fotot shihet pranë presidentit Ibrahum Rugova menjëherë pas diplomimit. Në një fotografi tjetër, ajo gjendet me policë tjerë të Sektorit për Mbrojtje të Afërt, SMA.

Një gjë vihet re – është e vetmja grua në shumicën e atyre fotografive.

“Ishte shumë vështirë ta përfundoja”, ajo thotë për trajnimin rigoroz të SMA-së. “Në atë kohë kishte shumë gra që deshën të na bashkoheshin, par ato nuk e kaluan testin apo trajnimin sepse ishte shumë i vështirë”.

Imeraj ishte personi i 253-të që u bë pjesë e Policisë së Kosovës, anëtare e gjeneratës së dytë. Ajo ishte po ashtu operatore e gjeneratës së parë të Sektorit për Mbrojtje të Afërt, të cilit iu bashkua në vitin 2002 kur forcat e policisë filluan mbrojtjen e zyrtarëve të lartë të Kosovës. Ajo ishte gruaja e parë dhe e vetme deri në vitin 2008.

Imeraj kujton sfidat me të cilat u përball kur patrullonte këmbas rrugët e Prishtinës së çliruar pasi u diplomua në Vushtrri në fund të vitit 1999.

Më e qarta: shqiptarët e Kosovës nuk i besonin policisë, apo ndonjë personi tjetër në uniforma ushtarake apo ato të zbatimit të ligjit. Nën regjimin shtypës të Millosheviqit gjatë viteve të 90-ta, policia serbe në mënyrë rutinore abuzonte dhe terrorizonte – dhe ndonjëherë përdhunonte – civilë të pafajshëm. Mosbesimi ndaj policisë ishte i përhapur në Kosovën e pasluftës ku vetëm shquarja e një zyrtari policor gjatë patrullimit nuk ishte shenjë e mirë për kosovarët.

“Ndryshimi i sistemit ishte punë shumë e vështirë pasiqë qytetarët tmerroheshin kur shihnin uniformën. Na është dashur t’ju flisnim ngadalë dhe me mirësjellje”, tha ajo. “Vitet e para ishin shumë të vështira për shqiptarët”.

Sot, Policia e Kosovës dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës janë institucionet më të besueshme në vend sipas një raporti të vitit 2016 nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë. Përgjatë viteve, Policia e Kosovës po ashtu ka arritur të krijojë besueshmëri në popullatën Serbe në veri dhe jug të Kosovës, si dhe të rekrutojë më shumë serbë – sidomos nga Civilna Zatita (Mbrojtja Civile) serbe – në forcat e policisë. Serbët dhe minoritetet tjera të Kosovës përbëjnë afërsisht 16 përqind të Policisë së Kosovës.

Imeraj rrëfen se ka pasur kohëra kur ka qenë vështirë të jesh grua në Policinë e Kosovës – në vitin 2015, 14 përqind e forcave policore ishin gra – por ajo gjithmonë i kapërceu pengesat.

“Ishte shumë vështirë, sidomos sepse kishin njerëz nga e gjithë Kosovë – nga fshatrat [rurale dhe malore] – ndoshta disa nga ta nuk kishin shkollim të duhur, nuk kishin shkollim të mesëm, nuk kishin mjaftueshëm kulturë. Dhe më është dashur të punoj me ta. Por, mbijetova”, ajo tha.

Fëmijëria e saj në fshatin Uçë e ndihmoi atë që të gjente rrugën e saj në jetën e re si police në një profesion të mbizotëruar nga meshkujt.

“Jam rritur me burra”, tha ajo. “Kam bërë punën e burrave në ara. Kam shkuar me babanë tim në kafene. Për mua nuk është asgjë. Nuk është diçka e veçantë”.

Sidoqoftë, disa nga kolegët e saj meshkuj kishin një problem me të. Pasi Imeraj u zgjodh si një nga instruktoret e SMA-së, ajo kujton se një oficer që punonte me të u çudit ta kishte një trajnuese grua dhe vuri në pyetje aftësitë e saj.

Qetësisht i tha që të mos i ndërhyjë apo përndryshe ta lëshojë klasën.

“Ishte vështirë, por kurrë nuk hoqa dorë”, tha ajo, duke shtuar se ajo beson që më shumë gra do të bëhen pjesë e forcave policore në të ardhmen.

“Mendoj se gjithçka në botë është e mundur nëse e do dhe punon fort”.

Imeraj përshkruan një herë tjetër kur ajo dhe kolegët e saj të SMA-së – të gjithë meshkuj – kishin stërvitje të kikboksit. Duke përdorur teknika të ndryshme luftarake, pjesëtarët luftuan “si duhet”.
Njëri nga instruktorët shqiptarë, një ish-luftëtar i UÇK-së, deshi të luftojë me Imerajn. Ai i kishte mundur të gjithë kolegët e saj meshkuj brenda një minuti.

“Kur filloi, luftova me të me të vërtetë. Ai [luftoi me gjithë fuqinë e tij]. Nuk çava kokën. Dhe kur ai e kreu, tha: ‘Ninxha, je e trentë. Je më e fortë se të gjithë meshkujt këtu!’”

“Ninxha” është nofka që Imeraj mori nga ditët e karatesë. Ajo vazhdojë të thirrej si e tillë nga thuajse të gjithë kolegët e saj policë.

“Ndoshta disa nga ta nuk e njohin emrin tim [të vërtetë]. Vetëm Ninxha”, tha ajo me buzë në gaz.

Hikmete Imeraj duke ofruar mbrojtje të afërt për Presidenten Atifete Jahjaga. Foto: Valerie Plesch.

Mbrojtja e presidentes

Puna e Imerajt me ish-Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjagën, filloi në vitin 2007 kur Jahjaga ishte zëvendësdrejtoreshë e përgjithshme e Policisë së Kosovës.

Dikush nga zyra e Jahjagës e thirri Imerajn dhe tha “Hej Ninxha, eja në zyrën tonë. Të thërret Drejtoresha”. Dhe, e mbylli telefonin.

Imeraj u zu gafil nga thirrja e befasishme; mendonte se kishte bërë diçka keq.

Kur arriti në zyrën e Jahjagës, gruaja që kishte thirrur Imerajn tha se Jahjaga kishte kërkuar që Imeraj të punonte me të. Asaj iu dha ca kohë për të menduar, por Imeraj u përgjigj se nuk kishte nevojë për një gjë të tillë pasiqë e njihte Jahjagën.

“Gjithsecili e dinte se kush ishte ajo. Ajo ishte sjellshme me njerëz, ndihmoi shumë nga ta. Në mendjen time, ajo ishte e mire. Pra unë pranova”, tha Imeraj.

Për katër vitet e ardhshme, Imeraj kryesisht shërbeu si vozitëse e Jahjagës.

Në kohën kur Jahjaga u bë presidente e Kosovës në vitin 2011, SMA-ja i dërgoi disa operatorë si mbrojtës personalë të Jahajagës, përfshirë Imerajn.

Përgjatë pesë viteve të mandatit të Jahjagës, Imeraj ishte vazhdimisht e pranishme, jo vetëm në Kosovë, por edhe në vende tjera të botës.

Lehtë e dallueshme përmes flokëve të saj të verdhë dhe të rruar – ishte sugjerim i Jahjagës që Imeraj, e cila është në fakt brune, t’i ngjyejë flokët e verdhë – Imeraj po ashtu shihet duke i shtrirë dorën Jahjagës në ngjarje që nuk kanë të bëjnë me policinë.

Hikmete Imeraj gjatë një vizite në Kuvendin e Shqipërisë. Foto: Valerie Plesch.

Ajo është parë duke varur fustanë në instalacionin artistik Mendoj në Ty në stadiumin e futbollit të Prishtinës teksa shoqëronte Jahjagën në një vizitë ditën para se të hapej instalacioni për publikun. Qëllimi i instalacionit ishte t’i nderonte të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së Kosovës, një nga nismat kryesore të Jahjagës si presidente.

Thuajse gjithkund, Imeraj është parë duke i bërë foto Jahjagës nga të gjithë cepat e botës – nga Jordania në Senegal për Honduras e Teksas – në telefonin e saj.

Pse e bën ajo një gjë të tillë?

“E bëj sepse ajo e meriton. Ajo është personi i vetëm që konsideroj se punon për vendin tonë me zemër”, ajo u përgjigj.

Edhe pse mandati i Jahjagës përfundoi prillin që shkoi, Imeraj vazhdon të ofrojë siguri për Jahjagën. Sipas Ligjit për Presidentin e Republikës së Kosovës, presidentët kanë të drejtë ta kenë një shoqërues zyrtarë për tri vjet.

Vitin e kaluar, Imeraj u ngre në pozitë si Rreshtere pas 16 vitesh punë me Policinë e Kosovës dhe më 12,000 orë punë mbi normë.

Imeraj thotë se nuk ka shumë jetë private – ajo shpesh kalon kohën e lirë me familjarë të saj, si për shembull me mbesën e saj 23 vjeçare Diellza Hakajn.

“Nëse do ta gjesh shembullin e një gruaje të mirë me karakter të fortë, mos shko më tej se Hikmetja”, Hakaj thotë për tezen e saj që e mësoi të ngiste makinën në rrugët e Istogut.

“Kur punon fort dhe me të vërtetë dëshiron të bësh diçka, edhe duhet të lësh diçka [prapa],” Imeraj tha duke treguar se i ka dhënë prioritet karrierës së saj mbi jetën e saj private.

Çdo gjë që bën ajo është për shtetin e saj, “Duhet ta bësh me zemër dhe mos të epesh”, ajo thotë me një vështrim të vendosur. “Duhet të duash që vendi yt të jetë madhështor.”

21 Mars 2017 - 12:30

Valerie Plesch 21/03/2017 - 12:30
NDËRVEPRIMI0

Truproja

by Kallxo
NA NDIQNI