Vajtues në Srebrenicë vitin e kaluar. Foto: Anadolu.

Refuzimi i Apelit i Përcjell Bosnjës një Mesazh Kritik

Refuzimi i GjND-së për të marrë në konsideratë një kërkesë për rishikim të vendimit të dhënë më 2007 për çështjen e gjenocidit të Bosnjës kundër Serbisë mund të tronditë skenën politikë.

Letra nga kryesekretari i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila informoi presidencën trepalëshe të Bosnjës të enjten se kërkesa polemike për rishikim të vendimit ishte refuzuar pasi ajo nuk ishte paraqitur nga ndonjë prej institucioneve të vendit, ishte një mesazh që erdhi në momentin kritik për të ardhmen gjithnjë e më të pasigurt të Bosnjës dhe Hercegovinës.

NDËRLIDHUR

Nëse ky mesazh do të dëgjohet dhe kuptohet nga ndokush, kjo mbetet ende për t’u parë.

Shanset janë të pakta, duke pasur parasysh faktin se pjesa më e madhe e politikanëve, intelektualëve, aktivistëve të OJQ-ve dhe të mediave të vendit mbeten të fokusuar në interesat e tyre të ngushta – duke injoruar dhe duke mos bërë asgjë në lidhje me këtë ose duke kontribuar në atë që ngjan kanosja për një shpërbërje përfundimtare të vendit.

Apeli për rishikim të vendimit të GjND-së – e cila vendosi se Serbia ishte fajtore për mosparandalimin e gjenocidit të vitit 1995 të boshnjakëve nga Srebrenica, por jo për vetë gjenocidin – u paraqit muajin e kaluar nga një grup politikanësh dhe intelektualësh kryesisht boshnjakë.

Nisma erdhi në mes të krizës së rrezikshme që po përshkallëzohej në Bosnjë, e cila ishte nxitur nga liderët e bashkuar boshnjakë, liderët e pavarur kroatë të Bosnjës dhe përpjekjet separatiste të liderëve serbë të Bosnjës.

Kërkesa për rishikim të vendimit u var tek pritshmëritë se Sakib Softiq, përfaqësuesi ligjor i Bosnjës në çështjen fillestare, e cila u mbajt në GjND midis vitit 2000 dhe 2007, e kishte ende mandatin për të përfaqësuar vendin në Gjykatën e OKB-së në Hagë.

Duke cituar këtë arsye, grupi kryesisht boshnjak nisi procedurën më pak se dy javë para përfundimit të periudhës dhjetëvjeçare të apelimit, duke pretenduar se ai kishte për qëllim vetëm sigurimin e të vërtetës dhe paqes për viktimat e masakrave të Srebrenicës dhe familjet e tyre.

Shumica e boshnjakëve etnikë, si edhe boshnjakët “liberalë” në përgjithësi – përfshirë përfaqësues të akademisë, OJQ-ve dhe komunitetit të medias – ose e mbështetën këtë veprim ose të paktën shmangën kritikimin e tij publikisht, për të mos zemëruar grupe me influencë të viktimave të luftës dhe shoqatat e veteranëve të luftës.

Por kërkesa për apel shkaktoi një protestë të madhe nga shumica e zyrtarëve serbë të Bosnjës dhe midis popullsisë serbe të vendit në përgjithësi, duke argumentuar se ata nuk ishin konsultuar dhe se në këtë mënyrë çështja nuk përfaqësonte vendin si një të tërë dhe institucionet e tij të përbashkëta.

Lidershipi kroat i Bosnjës, duke pretenduar neutralitet, refuzoi ta mbështeste apo refuzonte nismën, duke shmangur kështu si zemërimin e aleatëve të tyre politik boshnjakë dhe serbë të Bosnjës.

Ndërkohë Serbia paralajmëroi se kërkesa rrezikonte marrëdhëniet e brishta dhe të tensionuara midis dy vendeve.

Nisma boshnjake nuk fitoi gjithashtu mbështetje edhe midis aktorëve ndërkombëtarë zakonisht miqësorë ndaj Bosnjës, siç janë Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja, të cilët mbajtën qëndrim zyrtar neutral.

Por jozyrtarisht, nëpërmjet kanaleve të ndryshme diplomatike, të dy u përpoqën, por nuk arritën ta bindnin lidershipin boshnjak të mos e ndërmerrte këtë nismë.

E destinuar të dështonte

Anëtari boshnjak i presidencës trepalëshe të Bosnjës, Bakir Izetbegoviç. Foto: Anadolu.

Kërkesa për rishqyrtim të çështjes dukej e destinuar të dështonte që në fillim të saj, duke qenë se ata që ishin pro asaj dukeshin më të përqendruar në implikimet e saj politike dhe përfitimet e tyre politike dhe jo në mirëqenien e viktimave apo ndonjë gjë tjetër.

Ekspertë të shumtë vendorë dhe ndërkombëtarë paralajmëruan se nisma kishte themele të dobëta pasi ajo mbështetej në shpresat se mandati i avokatit Softiq do të njihej ende nga ana e GjND-së.

Mes përplasjeve politike në rritje dhe polemikave procedurale, baza ligjore për rishikimin e çështjes dukej se po injorohej.

Por shkalla e gabimeve procedurale, ligjore dhe politike të bëra nga lidershipi boshnjak ndërsa ndërmerrnin këtë nismë në këtë mënyrë filloi të dilte në sipërfaqe kur media vendase publikoi një dokument të përgatitur nga Nevenka Tromp dhe Sër Geoffrey Nice, të dy ish-avokatë të lartë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ICTY.

Në letrën, që daton në shkurt 2017, të dy përshkruan kronologjinë e kontakteve të tyre me lidershipin boshnjak midis vitit 2007 dhe 2017.

Tromp dhe Nice shprehën mendimin e tyre të përbashkët se raste të ndryshme të dëgjuara në ICTY gjatë asaj periudhe ofruan dëshmi të mjaftueshme të përfshirjes së Serbisë në luftën e Bosnjës, e cila ata thanë se ishte një bazë solide për një rishikim të vendimit të GjND-së për lirimin e Serbisë nga akuzat për përfshirje në gjenocid.

Por Tromp dhe Nice thanë në dokument se pavarësisht nga kjo, lidershipi boshnjak – si dhe përfaqësues të shoqatave të viktimave – nuk arritën të bënin asgjë konkrete për t’iu përgjigjur apo për të ndjekur komunikimet e tyre.

Të dy ish-zyrtarët e ICTY-së thanë se ky dështim kërcënonte të shkatërronte edhe bazën ligjore për rishikimin e çështjes, pasi rregullat dhe rregulloret e GjND-së kërkojnë që apeli të paraqitet jo më vonë sesa gjashtë muaj pas zbulimit të provave të reja.

Tromp dhe Nice shkruan se atyre më në fund iu ishin afruar përfaqësues të lidershipit boshnjak në dhjetor 2016 dhe filluan një masë të shkurtër “gjysmë-komerciale” në lidhje me këtë çështje më 3 janar të këtij viti.

E megjithatë ata përshkruan ato që mendohet të jenë të metat serioze ligjore dhe procedurale të apelit, duke filluar me ligjshmërinë e dyshimtë të mandatit të Softiq.

Mendimi i tyre u vërtetua nga një deklaratë me shkrim që kryetari i GjND-së, gjykatësi Ronny Abraham, nxori më vonë të enjten, në të cilën ai përshkroi gjithashtu kronologjinë e këtij rasti nga perspektiva e GjND-së.

Abrahami i tha se më 25 maj 2016 Softiq pyeti nëse emërimi i tij si përfaqësuesi ligjor i Bosnjës ishte ende i vlefshëm për fillimin e procedurës për rishikim të vendimit.

“Me anë të një letre me datë 26 maj 2016, kryesekretari njoftoi z. Softiq se do të nevojitej një emërim i ri. Që atëherë nuk është marrë asnjë dokument që dëshmon emërimin e z. Softiq për qëllimet e procedurave për rishikimin e vendimit të vitit 2007”, tha Abrahami në deklaratën e tij.

Abraham citoi gjithashtu letrat e dërguara nga të tre anëtarët e presidencës trepalëshe të Bosnjës më 28 shkurt, 2 dhe 3 mars.

Në letrat e tyre, anëtari serb i Bosnjës dhe ai kroat i Bosnjës i presidencës, Mladen Ivaniq dhe Dragan Çoviq, theksuan se as presidenca dhe asnjë institucion tjetër i përbashkët nuk e mbështesnin kërkesën për apel.

Vetëm anëtari boshnjak i presidencës, Bakir Izetbegoviq, pretendoi se mandati i Softiqit ishte ende i vlefshëm.

Megjithatë, deklarata e Abrahamit, si edhe dokumenti i hartuar nga Tromp dhe Nice, tregojnë qartë se Softiq dhe lidershipi boshnjak ishin njoftuar për faktin se Softiq nuk kishte mandat për të përfaqësuar Bosnjën para GJND-së pa një miratim të ri nga presidenca.

Pavarësisht të gjithë kësaj, lidershipi boshnjak vazhdoi me nismën e tij.

Një goditje për liderët boshnjakë

Gjykata Ndërkomëtare e Drejtësisë në Hagë. Foto: ICJ.

Disa zyrtarë boshnjakë thonë se ata ishin të detyruar ta nisnin apelin për rishikim, sepse përndryshe do të ofendoheshin publikisht nga shoqatat e viktimave se nuk e kishin bërë këtë.

Të gjendur përballë dy mundësive të këqija, ata zgjodhën atë që ishte më pak e keqe, duke injoruar kështu efektin që mund të kishte kjo çështje të marrëdhëniet etnike në të gjithë Bosnjën, si edhe të ardhmen e vetë vendit të tyre.

Gafa me rishikimin e dështuar erdhi pas një sërë shpërthimesh trazirash brenda lidershipit boshnjak, sidomos brenda partisë qeverisëse etnike boshnjake, Partia për Veprim Demokratik, SDA.

Pasi ka qenë përfaqësuesja kryesore politike e boshnjakëve për shumicën e 25 viteve të fundit, SDA është përballur me kritika në rritje brenda dhe jashtë saj, që pretendojnë se, njësoj si të gjitha partitë kryesore në Bosnjë, ajo është bërë e korruptuar, egocentrike dhe fokusohet në interesa të ngushta politike madje dhe personale, ndërsa është shkëputur nga populli dhe po injoron krizën katastrofike politike, ekonomike dhe shoqërore në vend.

Kjo kritikë është rritur vazhdimisht që prej zgjedhjeve lokale të vitit 2016 në të cilat SDA-ja doli si partia e vetme më e fortë në Bosnjë dhe Hercegovinë, edhe pse humbi shumë komuna të konsideruara si bastione tradicionale, si edhe shumë nga përfaqësuesit e saj të njohur lokal, të cilët kandiduan me sukses në zgjedhje si kandidatë të pavarur, duke mposhtur kandidatët e SDA-së.

Ndasitë në rritje politike brenda SDA-së njollosën gjithashtu marrëdhëniet midis partisë dhe partnerëve të saj politikë, siç është partia e dytë më e fortë boshnjake, Aleanca për të Ardhme më të Mirë, e cila drejtohet nga manjati i medias dhe ndërtimit Fahrudin Radonçiq.

Shumë politikanë boshnjakë – si brenda SDA-së ashtu edhe në parti të tjera – e ndien erën e gjakut dhe panë mundësinë e tyre ose për të zëvendësuar liderin e tyre, anëtarin boshnjak të presidencës Bakir Izetbegoviq, ose për të ndarë të gjithë SDA-në, gjatë ose pas zgjedhjeve të ardhshme, që janë të programuara të mbahen nën tetor 2018.

Në këtë situatë, skema e dështuar i nxiti më tej këto ambicie dhe shkaktoi një valë kritikash të reja të fokusuara ndaj SDA-së dhe Izetbegoviqit.

Goditja e dhimbshme dhe poshtëruese që u mor nga vendimi i GjND-së me siguri do ta dobësojë më tej SDA-në dhe Izetbegoviqin dhe me shumë gjasa do të çojë në luftën e parë serioze në këto vite për postin e kreut të partisë. Disa parashikojnë se kjo mund të çojë edhe në ndarjen e mëtejshme të SDA-së apo copëtimin e partisë.

Ndërsa provat e fundit tregonin se disa nga shoqatat e viktimave nuk arritën gjithashtu të luanin pjesën e tyre dhe të ndihmonin në përgatitjen e një rishikimi më të mirë të çështjes, vendimi i GjND-së mund të prekë edhe disa prej këtyre shoqatave.

Shumë nga këto organizata kanë gëzuar një status të veçantë në shoqëri për shkak të shqetësimit për vuajtjet e tyre dhe janë bërë lojtarë të rëndësishëm në politikën e brendshme.

Kërcënimi për shpërbërje

Tre anëtarët e presidencës boshnjake: Izetbegoviq (majtas), Çoviq (në qendër) dhe Ivaniq (djathtas). Foto: Anadolu.

Ndërsa vendimi i GjND-së për të refuzuar kërkesën për rishikim të vendimit paraqet një mposhtje të madhe për lidershipin boshnjak, dhe tregon fiksimin e tyre të vazhdueshëm me rolin e tyre si viktima kryesore të luftërave të viteve 1990, kjo nuk duhet të perceptohet si një fitore as për liderët kroatë apo serbë të Bosnjës.

Shumë boshnjakë thonë se apeli i tyre për rishikim të vendimit u ndërmor, të paktën pjesërisht, si një reagim boshnjak ndaj minimizimit të vazhdueshëm ose injorimit të përgjegjësisë së liderëve kroatë apo serbë të Bosnjës të kohës së luftës për atë që ndodhi gjatë konfliktit të viteve 1990.

Ai ishte gjithashtu një reagim boshnjak ndaj kërcënimeve të vazhdueshme – dhe në rritje- kundër integritetit të Bosnjës që vazhdojnë të vijnë nga disa liderë serbë dhe kroatë të Bosnjës.

Në këmbim, shumë kroatë dhe serbë të Bosnjës thonë se është në dorë të boshnjakëve, si grupi i vetëm më i madh etnik në vend, të krijojnë një mjedis që është i pranueshëm për grupe të tjera etnike.

Në deklaratën e tij të enjten, kryetari i GjND-së Abrahams citoi se pasi shqyrtoi të tria letrat e dërguara nga të tre anëtarët e presidencës së Bosnjës, gjykata arriti në përfundimin se “përmbajtja e tyre tregon se nuk është marrë asnjë vendim nga autoritetet kompetente, në emër të Bosnjës dhe Hercegovinës si shtet”.

Ndërkohë GjND-ja deklaroi se përpjekja e njëanshme për të ringritur çështjen e bërë nga një pjesë e e lidershipit boshnjak nuk përfaqëson institucionet e përbashkëta të Bosnjës, shumë ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë – dhe shumë qytetarëve të Bosnjës gjithashtu – po pyesin veten vazhdimisht se çfarë dhe ku është Bosnja sot.

Siç tregon edhe vendimi i GjND-së, asnjë nga aktorët politikë apo të shoqërisë civile në vend nuk e respektojnë apo pranojnë të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën, me të gjitha kompleksitetet, paqartësitë, absurditetet, pikëpamjet dhe interesat e ndryshme.

Në vend të kësaj, lojtarë të ndryshëm promovojnë interesa dhe pikëpamje të veçanta që janë të fokusuara në interesa të ngushta etnike apo edhe interesa të ngushta politike të grupeve të caktuara, ndërsa ideja e një vendi të përbashkët duket se vazhdon të injorohet, në mos nuk është braktisur ende.

Ndërkohë, institucione të dobësuara, reforma të bllokuara, korrupsioni i shfrenuar, papunësia e vazhdueshme, një ekonomi e dobët, përkeqësimi i standardeve të jetesës dhe shërbimeve publike sociale, si edhe shumë lojëra të pafundme të vogla politike, kanë detyruar dhjetëra mijëra boshnjakë të largohen nga vendi gjatë dy viteve të fundit për të kërkuar një të ardhme më të mirë diku tjetër.

Anketimet tregojnë se shumë më tepër do të donin të largoheshin, por s’i përballojnë dot shpenzimet për ta bërë këtë.

I lodhur nga vite të tëra rënie të vazhdueshme politike, ekonomike dhe sociale, vendi duket se është më pranë se kurrë shndërrimit të një shtetit të dështuar ose shpërbërjes së tij.

Shumë druhen se kjo situatë, nëse vazhdon në të njëjtën rrugë, herët ose vonë do të çojë në dhunë të re shoqërore apo etnike – ose të dyja bashkë – që mund të përshkallëzohet lehtësisht në vendin e tensionuar dhe të ndarë.

Disa druheshin se rishikimi i vendimit – nëse do të ishte pranuar përpunuar nga GjND-ja – mund të kishte shkaktuar një skenar të tillë, duke filluar me një tërheqje të shumicës, në mos të gjithë, së përfaqësuesve serbë të Bosnjës nga institucionet shtetërore.

Ky kërcënim duket se është paralajmëruar të paktën përkohësisht, por kriza të reja duken në horizont, duke sugjeruar se vendin e presin telashe dhe komplikacione të reja.

Ndërkohë që aktorët ndërkombëtarë – kryesisht BE-ja- mund të kenë ende një mundësi ta ndalojnë krizën e rrezikshme të Bosnjës, tashmë është mëse e qartë se 21 vjet pas luftës, vetëm banorët e Bosnjës dhe Hercegovinës, me të gjithë politikanët, akademikët, aktivistët e shoqërisë civile dhe median e saj, mund të ndërtojnë një të ardhme të përbashkët.

Në të kundërt, ata mund të përjetojnë përsëri të kaluarën e tyre të dhunshme.

12 Mars 2017 - 14:23

Srecko Latal, BIRN 12/03/2017 - 14:23
NDËRVEPRIMI0