Majlinda Kelmendi, Kampionia që Mund ta Braktisë Vendlindjen

“Unë jam Kampione e dyfishtë botërore por vendi ku unë ushtroj tash dimrit është ndoshta -10 gradë -15 gradë realisht më vjen turp me ju tregu garuesve të nivelit tem vendin ku unë ushtroj qysh është. Dihet qysh ushtrojnë kampionët botërore, unë vij në mëngjes me çorape të leshta, me vesh duks me vesh kimonen, i ki pesë kilogram tesha. Mirëpo njerëzve nuk po ju bjen mend aspak”, tregon Kelmendi.

Majlinda Kelmendi kampione e botës në xhudo është e zhgënjyer me trajtimin institucional që po i bëhet klubit të xhudos “IPPON” nga Komuna e Pejës, duke marrë zero mbështjetje financiare këtë vit.

Ajo tregon se kur ka udhëtuar nëpër vende të ndryshme ka parë se garueset e nivelit të saj kanë pasur trajtim shumë të mirë ndërsa mendon se në ndonjë qytet tjetër ajo do të ishte çmuar më shumë.

Edhe kampionia tjetër Nora Gjakova, e cila solli medalje olimpike nga Lojërat Europiane Olipmike në Baku, nuk është e kënaqur me trajtimin që po i bëhet klubit të xhudos në qytetin e saj.

“Nuk po kërkojmë me na përkrah për gara të ndryshme sepse ato po i përkrah ministria, por kemi nevoja të tjera, po ushtrojmë në një sallë private ku kushtet kryesore na mungojnë, nuk kemi ngrohje dhe kjo mjaft e vështirëson procesin e stërvitjes sepse në momentin që duhet me ushtru na duhet një gjysmë orë një orë për të bërë nxemjet para treningut”, tha Gjakova.

Trajneri Driton Kuka thotë se për vitin 2015 nuk ka pasur aspak transparencë për mjetet që janë ndarë për sportin nga Komuna e Pejës.

“Një qytet i cili ka prodhu kampione botërore, një qytet i cili ka shpëtu fytyrën e shtetit të Kosovës në lojërat olimpike në Baku, pjesë e të cilit klub janë të dyja vajzat e klubit IPPON nuk kanë sivjet asnjë cent në konton e tyre”, tha Kuka.

Kuka i cili paguan shpenzime bazë dhe taksa për klubin që është jofitimprurës, tregon se ka pasur edhe një takim me kryetarin e komunës, Gazmend Muhaxheri dhe stafin e tij.

“Jemi dakorduar që shuma e vitit të kaluar që ka qenë 10 mijë e 500 euro këtë vit të jetë përgjysmë më e vogël mirëpo as ato deri më tash nuk kanë dal”, tha Kuka.

Trajneri thotë se përkrahja nga Ministria e Kulturës për kampionët nuk po mungon por e ka hallin e klubit, i cili sipas tij nuk po përkrahet nga pushteti lokal.

“Majlinda, Nora, Distria dhe unë e ekipi olimpik kemi menduar ta regjistrojmë klubin në një komunë tjetër, pikërisht protestë ndaj politikës që është duke u bërë ndaj klubit tonë”, tha Kuka.

Durim Sheremeti, shef i Kabinetit në zyrën e kryetarit Gazmend Muhaxheri, thotë se pakënaqësia për sasinë e mjeteve është valide, por sipas tij, paratë e destinuara për sport janë ndarë në proporcion në bazë të rekomandimeve të drejtorisë.

“Në mungesë të mjeteve, Komuna e Pejës, e cila ka qenë në vështirësi këto muaj, i kemi shtyrë pagesat por shumë shpejt do të transferohen”, tha Sheremeti.

Engelbert Zefaj, drejtor në Drejtorinë për Kulturë Rini dhe Sport në Komunën e Pejës thotë se janë ndarë 5 mijë euro për klubin. Por ai thotë se paratë që nuk janë derdhur në xhirollogari mbesin si borxhe që duhet të paguhen për klubin IPPON, ndërsa thotë se drejtoria e tij ka mungesë të buxhetit.

Për paralajmërimin e Kukës së kampionët do largohen nga Peja, Zefaj ngriti supet.

“Këto janë qëndrime të z. Kuka, është e drejtë civile dhe njerëzore që të ndërrojë vendbanim neve nuk na vjen mirë, kudo që shkojnë Majlinda Kelmendi dhe Driton Kuka ata do të jenë pejanë, por nëse e ndryshojnë komunën, unë ua garantoj se nuk do të gjejnë një komunë që do tu’ ofrojë ku me dit se sa kushte më të mira se sa Peja”, tha Zefaj.

Komuna vëren se këtë vit ka dhënë 1 mijë euro për Majlinda Kelmendin, dhe nga 500 për Nora Gjakovën dhe Distria Krasniqin. Këto pagesa janë individuale për sportistet dhe jo për klubin.