Komunitarë të botës bashkohuni!

E para u përmbush. Nazelinjtë do të kundërpërgjigjen se që nga viti 2008 papunësia ka mbetur e pandryshuar, ose madje vetëm sa është rritur. Mos i dëgjoni ata: të dhënat në të cilat ata do të thirren janë produkt i fryrjes së shifrave. Është ky një fenomen mjaft i thjeshtë: me kalimin e kohës, për shkak të përdorimit të përsëritur të numrave të njëjtë (të cilët janë vetëm dhjetë), vlerat e tyre nominale rriten në përputhje relative me vlerat reale të gjërave që i masin; rezultati që paraqitet në letër duket më i madh se që është në të vërtetë. Për shembull, para tre minutave unë e porosita ‘një kafe’; Unë e piva pak dhe tani filxhani është gjysmë i zbrazët (ose gjysmë i mbushur, si të doni), sikurse filxhanët e njerëzve të ulur përreth meje; megjithatë, në të dy momentet, secili nga filxhanët tanë llogaritet si ‘një kafe’: rrjedhimisht, ne ende e kemi numrin e njëjtë të ‘kafes(ve)’ përkundër faktit që gjatë këtyre tre minutave sasia totale e kafes në këtë kafene është zvogëluar në masë të konsiderueshme. Gjithashtu, secila njësi e papunësisë që përbën 45% të cilën ata njerëz e citojnë përmban shumë më pak papunësi sesa që sugjerojnë numrat. Nëse ky shembull vetëm sa ua komplikoi gjërat, ta shohim atë në këtë mënyrë: të gjithë – qeveria, SHBA’ja, BE’ja, Banka Botërore, IMF’ja, ICO’ja dhe njësia e saj ekonomike – theksojnë se prioriteti i tyre është ulja e papunësisë dhe bëjnë çmos për ta ulur atë; tani, është thjeshtë e pamundur që përkundër të gjitha këtyre përpjekjeve papunësia të mbetet aq e lartë: ajo duhet të jetë ulur. Mirëpo, fryrja e numrave nuk na lejon që ne ta shohim atë.

Më falni për këtë hyrje mjaft teknike, mirëpo këtë e imponoi një rigjallërim i ndërgjegjes sime (dikur fitoja ndoshta deri 40 herë më shumë se rroga mesatare e kosovarëve të cilët janë me fat që të kenë punë).

Të kalojmë tani në tema më interesante. Standardi i ‘shkrimit të mirë’ që e kam vendosur në njësinë ekonomike të ICO’së ishte ky: saktësi në përzgjedhjen e fjalëve, pa metafora të panevojshme, zhargone vetëm nëse janë të domosdoshme për t’i fshehur gabimet e së kaluarës, si dhe respekt i shprehur për logjikën binare. Kolegët e mi të shkëlqyeshëm e shtuan edhe një kriter, të cilin pamëshirshëm e aplikonin në prozën time: bjeri shkurt.

Në të vërtetë, meqë puna e ICO’së ishte prodhimi i literaturës, puna e njësisë ekonomike të saj ishte të hartojë pjesë proze që përmbanin terma ekonomikë (një herë provuam disa heksametra të mprehtë për politikën fiskale, mirëpo ato u refuzuan për shkak se ishin jodiplomatike). Mirëpo e tërë ekonomia është veçse politikë dhe, për fat të mirë të ICO’së, edhe e kundërta vlen: prandaj edhe lexuam, komentuam dhe gjithsesi përmirësuam shkrimet e ICO’së në shumë fusha. Pikërisht në këto fusha hasëm në armiqtë tonë.

Linja e parë e frontit të ICO’së ishte klani i quajtur Njësia për Çështje të Komuniteteve, e cila në kulmin e autoritetit të saj numëronte 86 komunitarë. Ata e adhuronin decentralizmin, një entitet i papeshë të cilit i atribuonin fuqi çudibërëse dhe e nderonin atë me ceremoni që i quanin ‘seanca brainstorming’. Mendjet e tyre megjithatë ishin të njëtrajtshme dhe kthjellëta: pas teknikës revolucionare të shtjelluar nga Lenini (e cila kishte ardhur nga Finlanda, sikurse autori i ‘planit’ ose ‘pakos’ të cilën e zbatojnë me përpikëri), ata i dhanë vetës detyrë që të komunalizojnë çdo gjë, të nxisin ndarjen e të gjitha formave të qeverisë dhe privatizimit të centralizuar (disa nga paraardhësit e tyre duhet të kenë qenë edhe anarkistë). Një klan i tyre, i përbërë nga 28 decentralizues, ishte dërguar në veri të Kosovës në fillim të vitit 2008, por kishte preferuar që të vendoset në bregun jugor të lumit Ibër, ku jeta e tyre joaktive i kishte shtyrë ata zënë interesim në vëzhgimin e minierave jofunksionale dhe të shkruajnë literaturë fantastike (‘Strategjia/plani gjithëpërfshirës për veriun’ ishte maja e artit të tyre); ata përfunduan me hapjen e një shkolle dramatike, ku kompania teatrale Ekipi përgatitor komunal i Mitrovicës e mësoi zanatin.

Të tjerët nuk rrinin duarthatë fare dhe çdo ditë krijonin komuna të vockla, duke iu ndarë buxhete marramendëse dhe tregti pa nënshtrim tatimor të qirinjve të kishës: konflikti me njësinë ekonomike ishte i pashmangshëm. Pasuan provokimet, njëri pas tjetrit: kur ne dyshuam se ata fshehtazi po nxisnin kryetarët e komunave që t’i uzurpojnë tokat që ishin menduar të privatizohen, ne shpallëm luftë.

Pas disa humbjeve të tmerrshme në fillim, komunitarët e kuptuan se nuk ishte e rëndësishme fuqia e argumentit por kontrolli i betejës dhe i përshpejtuan lëvizjet në të. Shpejtë e pamë se na sulmonin nga çdo cep, me armën e tyre të re e të frikshme: çiftëzimin e argumenteve kontradiktore (për shembull: ‘ne pajtohemi’ dhe ‘ne nuk pajtohemi’, apo ‘A+B=C’ dhe ‘A+B=Z’) të lidhura me njëra-tjetrën përmes një zinxhiri të hekurt dhe të hedhur në drejtimin tonë nga çifte topash, të cilët i posedonin në numra të mëdhenj (ata e morën këtë ide nga piratët holandezë të shekullit XVII, të cilët i përdornin ato për t’i goditur direkët e anijeve të mbretërve katolikë: dyshoj se një tjetër holandez iu kishte shitur skicat e kësaj arme të tmerrshme). Pas një sulmi të fortë në anën e majtë, ata me shpejtësi zhvendoseshin në anën e djathtë, sajonin një tjetër çift argumentesh kontradiktore dhe ngritnin një ofensivë po aq të fuqishme nga aty. Në çdo betejë ne humbën pjesë të mëdha të territorit të pronës shoqërore, deri në momentin kur e rrethuan kalanë tonë. Të sigurt se mbrojtja jonë mbështetej në themele të forta analitike, gjatë shëtitjeve tona të mbrëmjes ne kënaqeshim duke parë aktivitetet e tërbuara, të çrregullta të komunitarëve që kishin zënë vend mu poshtë nesh, si dhe i shkundim cigaret mbi ta. Sa të marrë që ishim: një ditë fatlume perëndesha jonë e dashur e disiplinës fiskale u thirr prapa në vendlindje në Greqi dhe deri në muzg të gjithë ne ishim zënë rob.

Deri në kohën kur u mbyll, më 31 mars 2011, njësia ekonomike ishte një turmë e humbësve të dëshpëruar, të mbyllur në heshtje; të pafuqishëm, ne shikonim se si idetë tona të çmuara përmbyseshin njëra pas tjetrës: programi i FMN’së, privatizimi i PTK’së, klima investuese, banka qendrore, fondet e mirëbesimit të AKP’së.

ICO ia doli t’i shmanget talljes që në ditën e parë të jetës së tyre pa neve, e që ishte dita e 1 prillit, por rënia jonë u dëshmua fatale për prozën e saj.

Ta shohim shembullin e fundit: raporti për Zonat e posaçme të mbrojtura. Dy fjalitë e para të tij – të atribuuara holandezit Pieter Feith por të hartuara nga komunitarët, të përmirësuara nga legalitarët dhe të lekturuara nga politikëhartuesit (dy klanet tjera) – janë të mjaftueshme: «Peizazhi i Kosovës shquhet me një shumëllojshmëri të pasur të shtëpive tradicionale dhe vendndodhjeve, duke përfshirë kështjella, ura, kisha, xhami, manastire, teqe, tyrbe, hamame dhe kulla. Këto monumente janë pjesë e trashëgimisë kulturore që shkon përtej kufijve të sotëm të Kosovës.».

Nga të filloj? Që nga fillimi: «Peizazhi i Kosovës mburret me». Tani, peizazhet as nuk mburren as nuk flasin: kjo është thjeshtë një metaforë e keqe, e prishur, [shkurtoje këtë: dhe e keqe: bajate, e mbipërdorur, skajshmërisht e paaftë për të ndjell një pasqyrim vizual (në varrin e tij, lotët heshtazi  derdhen nga kokërdhokët e zbrazët të kafkës së George Orwell: kjo është e re). Me mprehtësi, komunitetarët kërkuan mbështetje për idetë e tyre për peizazhin pikërisht sepse ai nuk mund të flet: sikur të mundte, pas pastrimit të fytit nga 2.7 tonelata qese të plastikës do të kishte thënë se krijimi i Zonave të posaçme të mbrojtura nuk do t’u ndihmojë shumë në një vend ku ligji shpeshherë injorohet.]

«… kështjella … »: nuk ka kështjella në Kosovë, vetëm kala ose fortesa. Vetëm ajo në Zveçan mund të ketë shërbyer për kohë të shkurtër si vendqëndrim privat i një anëtari të mbretërisë, por komunitetarët nuk flasin për këtë sepse veriu i Kosovës është larg shtrirjes së tyre. [Shkurtoje këtë: Fatkeqësisht për ta: parafytyroni sa shumë decentralizim mund të bëjnë atje lartë!] Është për të qeshur: nëse e përmendni veriun në praninë e tyre ata menjëherë ta hedhin një shikim introvert dhe fillojnë t’i kërcasin dhëmbët e tyre: ‘grrrrrr’, ‘grrrrr’: ata i urrejnë humbjet, dhe për këtë ata e fajësojnë klanin joaktiv që është dërguar atje, por që u dorëzua para arteve.

«Këto  vendndodhje …»: ‘këto’ janë kështjellat, urat, kishat, etj. Tani, secila nga to ka vendndodhje, por asnjëra nuk është vendndodhje: ato janë ndërtime, gjëra, monumente, objekte (një shprehje shumë chic sipas mendimit tim). Mendoj se këtu synimi ishte të tingëllonin si akademikë.

«… trashëgimi kulturore që shkon përtej kufijve të sotëm të Kosovës.». Nëse jeni vëzhgues që për qëllim keni trashëgiminë kulturore të një territori ta përshkruani si produkt të historisë së saj, e shikoni atë si statike, sepse nëse ajo lëviz larg përtej kufijve ku ndodheni shpejtë do ta humbisni nga horizonti dhe do të duhet ta përshkruani nga kujtesa. Veprimi i trashëgimisë kulturore – një veprim që ka ndodhur në të kaluarën – është ai i të pranuarit: trashëgimia e Kosovës pasqyron ndikime që vijnë nga Konstatinopoja, Edirneja, Rashka, Dortmundi, Milluoki. Trashëgimitë Kulturore lëvizin përtej kufijve vetëm nëse flisni për to si qenie të gjalla, të cilat mbjellin farë në vende tjera. Për shembull, helenizmi (jo maqedonizmi) ndoqi Aleksandërin e Madh nëpër Azi dhe atje la Budën që duket sikur atletët Olimpikë, vetëm se me bark paksa më të fryrë. Në të vërtetë, ky është edhe plani i fshehur i komunitarëve: ta sjellin fjalën finlandeze të tyre përtej Kosovës dhe të krijojnë një rajon, një kontinent, një botë të përbërë nga miliarda komuna të vockla, secila prej tyre me universitet, aeroport e spital të vogël dhe buxhet të stërmadh.

Nëse kjo është ajo që mund të futet në dy fjali të shkurtra, vetëm paramendoni se çka është në gjendje të bëjë ICO kur formulon politika të tëra. Në të vërtetë, herën tjetër dua të flas për forumin në të cilin diskutohet politika e ICO’së: takimet ditore të mëngjesit.

* * *