Ilustrim. Foto: Atdhe Mulla

Këshillat jo edhe aq Qesharake të Z. Capussela për Diplomatët e Huaj në Prishtinë

Në shkrimin “Këshilla për Diplomatët e Prishtinës” që u publikua në këtë gazetë, z. Andrea Capussela shkruan për një bisedë imagjinare mes tij dhe disa nga diplomatët e huaj në Prishtinë me rastin e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë të dielën e kaluar. Shkrimi ishte paraparë të ishte satirik, por është vështirë të quhet i tillë— kjo sepse nuk është tamam satirë. Toni ironik të cilin e përdor autori për t’u dhënë këshilla diplomatëve të huaj të marra nga rezultatet e zgjedhjeve maskon hollësisht nënkuptime serioze të një mentaliteti kolonial të të huajve në Kosovë, të cilët e shohin Kosovën si një provincë vasale të ujërave të zeza.

E gjithë maskarada e zgjedhjeve dhe vështirësitë për të zhvilluar këtë shtet të vogël përmes metodave paqësore është një cirk i pakuptimtë që ngjallë dhe nxitë votuesit ta kenë iluzionin që ata janë në gjendje ta kontrollojnë fatin e tyre. Capussela shkruan përmes fjalive të ndrydhura përplot dredhi politike dhe një tendosjeje humori të zi që tallet me votuesit e mashtruar, të cilët disi mendojnë, në fakt mendojnë në të vërtetë, që ata e kanë në dorë të ardhmen e vendit të cilin ata e quajnë shtëpi. Kjo edhe mund të jetë zbavitëse dhe qesharake, por edhe të zgjon një ndjenjë pështirësie dhe godet një nerv të papërpunuar me kosovarët të cilëve u kanë ardhur te hunda vitet jo-falënderuese gjatë të cilave këta ngucakëqinj të huaj vazhduan t’i fusnin hundët në të gjitha punët e shtetit.

Por votuesit në këtë realitet parodik janë të mashtruar. Autori nuk i përmend votuesit as edhe njëherë në gjithë punën e zgjedhjeve, apo dëshirën e tyre të sinqertë për të ndryshuar kahjen e vendit dhe ta shndërrojnë në një vend të denjë për jetesë dhe punë. Ai madje as nuk aludon për një herë të vetme në dialogun e tij komik me miqtë e tij dashamirë që këto zgjedhje mund të ishin vullneti dhe zëri i popullit, pa marrë parasysh mashtrimet e tyre. Ai as edhe njëherë nuk sugjeron që ndoshta ka ardhur koha për kosovarët që t’ua rikujtojnë këtyre diplomatëve të shkallës së dytë- siç i quan Capussela- që ata janë këtu për t’i përfaqësuar shtetet e tyre dhe për t’i pasur zët karrierat e tyre, por jo për t’u tallur me punën e zgjedhjeve apo për të ndërhyrë në vullnetin e popullit.

Të intereson se pse, përgjatë këtij shkrimi të kotë, nuk ndodhi që Capussela t’ua rikujtonte bashkëbiseduesve të tij imagjinarë ta marrin seriozisht vlerësimin e popullit. Jo politikanët, as elitat- por votuesit, të rinj dhe të vjetër, votuesit që Kosovën e kanë shtëpi dhe vendin ku i rrisin fëmijët e tyre. Votuesit që votuan për ta ndryshuar kahjen e vendit, votuesit që vendosën t’i pushonin politikanët që i shkaktuan shoqërisë dëme të pariparueshme, votuesit që u zgjuan dhe thanë mjaft. Votuesit, qytetarët, të cilët- edhepse mund të kenë vështirësi me ekonominë e dobët dhe shoqërinë e shpërndarë- besojnë që ata janë rojtarët e vërtetë e lirive të fituara me luftë. Votuesit të cilët duan që personat e zgjedhur ta udhëheqin vendin, jo lajkatarët që i përulen një Eurokrati të rastësishëm dhe ndërkombëtarëve të tjerë të devijuar, të cilëve u duket vetja jo diplomatë të rregullt, por si kolonizues të dërguar këtu nga ndonjë perandor apo mbret.

Jo, asnjëra nga këto nuk ndodhë. Në vend të kësaj, Capussela shpërndan këshilla makiavelike se si të vendoset rendi dhe si duhet ta përballojmë kërdinë e zgjedhjeve të ashtuquajtura të lira dhe të drejta dhe gjithë atë vullnet të votuesve që janë për keqardhje. Me mendjemprehtësi ai sugjeron të menaxhohen njerëzit e zgjedhur si të ishin një tufë germash të vogla duke luajtur një lojë të padobishme nën vëzhgimin e një tirani, apo si të ishin pjesë e një loje me bashkim pjesësh të një figure. “… i ndan ato pjesë. Pastaj merr disa pjesë… dhe i vendos bashkë… pjesët që s’i përdor i hedh…” e kështu me radhë.

Pjesë. I thyen, i mbushë, i shprazë. Apo i ndan dhe i hedh si zare. Kujt i intereson? Ato janë veç pjesë. Prapë, e gjithë kjo do të ishte qesharake po të mos kishte reflektuar të vërteta më të thella për marrëveshjet prapa dyerve apo bisedave serioze në një realitet paralel në të cilin këta diplomatë jetojnë dhe bëjnë komplot kundër demokracisë së Kosovë. Por për të qenë i sigurt, kjo s’do të thotë që të gjithë këta përfaqësues të huaj janë të së njëjtës bojë. Ka shumë të tjerë që bëjnë atë për të cilën kanë ardhur: përfaqësojnë shtetet e tyre ose janë partnerë të mirëfilltë ndaj homologëve të tyre kosovarë.

Në fund të shkrimit të Capusselës, të gjitha pjesët janë të aranzhuara në mënyrë harmonike në një tallje të gjallë. Por ato pjesë që preferojnë të vetë-quhen si populli apo votuesit janë të fshira. “Dhe gjithçka do të jetë në rregull, nëse e gjitha nuk prishet,” përfundon ai. Me fjalë të tjera kjo i bie që gjërat mund edhe të prishen nëse, ti, votuesi kosovar, nuk del kundër këtyre ndërhyrësve dhe çikërrimtarëve të huaj që të kanë përqeshur dhe kanë shkelur identitetin tënd gjatë këtyre tetëmbëdhjetë viteve.