Jazidë në malin Sinjar në Irakun verior duke shënuar tre vjetorin e masakrave. Foto marrë nga video.

Jazidët që i Mbijetuan Masakrës Marrin Mësime nga Srebrenica

Tre vjet pas vrasjeve masive të jazidëve në Irak nga ana e Shtetit Islamik, të mbijetuarit duan të imitojnë gratë e Srebrenicës, të bëjnë që masakrat të njihen si gjenocid dhe vrasësit të dalin në gjyq.

Jazidët në Irak përkujtuan përvjetorin e masakrave të kryera nga Shteti Islamik në provincën veriore të Ninivës në vitin 2014 dhe u zotuan se do të kërkojnë drejtësi për ata që u vranë.

NDËRLIDHUR

Eventi shënoi tre vjet pasi forcat e Shtetit Islamik spastruan të gjithë zonën malore të Sinjarit, e cila është e populluar nga shumica e jazidëve në botë.

Ajo përfundoi në një kasaphanë të cilën një panel i OKB-së në qershor 2016 e klasifikoi si gjenocid.

Tani të mbijetuarit duan njohje ligjore se ky ishte gjenocid dhe ata duan që të gjenden trupat e njerëzve ë tyre të dashur.

Ata duan atë që kanë arritur të mbijetuarit e Srebrenicës.

Për këtë arsye, më 11 korrik të këtij viti, një delegacion jazidësh mori pjesë në përkujtimoren e 22 vjetorit të gjenocidit të Srebrenicës – masakrimi i rreth 8,000 burrave dhe djemve boshnjakë të ekzekutuar në mënyrë sistematike nga forcat serbe të Bosnjës, të cilat pushtuan qytetin drejt fundit të luftës së viteve 1992-1995.

Dilbar Omer, një nga anëtarët e delegacionit të jazidëve, tha për BIRN se vizita në Bosnjë ishte si frymëzuese ashtu edhe produktive.

“Gjatë takimit me gratë e mbijetuara të Srebrenicës, ne u përqendruam në ndarjen e punës dhe përvojave tona. Ato na kujtuan të mbështetemi te ligji, në vend që të mposhtemi nga urrejtja dhe hakmarrja,” tha Omer.

“Dokumentacioni është jetësor,” tha ai. “Ne duhet të përdorim një sërë sendesh dhe mjetesh për të kërkuar të drejtat tona,” shtoi ai.

Grupi tani planifikon të inkurajojë dhe fuqizojë të mbijetuarit që të bëhen punëtorë aktivë të komunitetit dhe të inkurajojë komunitetet lokale që të dokumentojnë të gjitha krimet kundër njerëzimit që janë kryer.

Gjetja e varreve masive është një përparësi, tha Omeri. Jazidit e mbijetuar kanë thënë se duan që komuniteti ndërkombëtar të përfshihet në kërkimin e vendeve të varreve dhe të ndërtojë çështje ligjore, siç bëri në Bosnje dhe Hercegovinë.

Por grupi gjithashtu do të përpiqet të forcojë kohezionin social dhe të rindërtojë besimin mes grupeve të ndryshme etnike.

“Ne do të punojmë së bashku për edukimin, kulturën, faljen dhe rindërtimin e një shoqërie civile vendase e cila do të përpiqet për një të ardhme të ndritshme dhe paqësore,” tha Omer.

Marrje masash

E mbijetuara e masakrës ndaj jazidëve Basma Naji takon gra nga Srebrenica në korrik. Foto: PAX për Paqe.

“Jazidët e Irakut u impresionuan nga puna e grupeve të viktimave në Srebrenicë,” tha Sam van Vliet, oficer i lartë i programit për Irakun në organizatën holandeze për ndërtimin e paqes PAX, e cila organizoi vizitën e jazidëve në përkujtimoren e Srebrenicës muajin e kaluar.

Ajo që i bëri përshtypje delegacionit prej gjashtë anëtarësh jazidi ishte se si boshnjakët “për një periudhë kaq të gjatë kanë qenë të suksesshëm në lobimin për identifikimin e varreve masive dhe më vonë janë përfshirë në procesin e drejtësisë dhe materializimit,” tha van Vliet.

Ata mësuan për “rëndësinë që viktimat të organizohen si një grup shoqërie civile për të lobuar me më shumë efikasitet,” shtoi ai.

Të mbijetuarit e masakrës së Srebrenicës, kryesisht gra, arritën të bindin qeveritë e huaja që të ngrinin Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur dhe ndihmuan në krijimin e procesit më të sofistikuar për identifikimin e ADN-së që ka parë ndonjëherë bota.

Ata i kanë nxitur ekspertët e mjekësisë ligjore të gjejnë varre masive të fshehura, t’i gërmojnë ato, të mbledhin skeletet dhe t’ia kthejnë ato familjeve të tyre, të cilat o kanë varrosur eshtrat e të dashurve të tyre çdo vit më 11 korrik në qendrën përkujtimore të Srebrenicës në Potocari – funerale në të cilat kanë qenë të pranishëm edhe liderë botërorë.

Ndërkohë, gjykata e OKB-së në Hagë ka gjykuar disa nga autorët e mizorive, përfshirë edhe organizatorët e tyre.

Askush më parë s’kishte bërë diçka të tillë.

Kada Hotiç, një nga fytyrat më të spikatura të shoqatës “Nënat e Srebrenicës”, humbi djalin, burrin dhe dy vëllezërit e saj në masakrat e 1995. Hotiç ka disa këshilla për jazidët.

“Ata duhet të këmbëngulin për krijimin e një gjykate neutrale. Ata duhet t’i bëjnë presion institucioneve vendore dhe ndërkombëtare që të gjejnë prova,” tha ajo për BIRN.

“Pasi të kenë të gjitha provat, ata mund t’i paraqesin ato në atë gjykatë,” tha ajo.

Hotiç tha se një vendim gjykate është pjesa më e rëndësishme e procesit të njohjes së gjenocidit.

“Para se të kishte një vendim gjyqësor zyrtar, askush në media nuk guxonte as ta përdorte fjalën “gjenocid” për të përshkruar atë që na ndodhi,” shpjegoi ajo.

Hotiç kujtoi se si, kur përfundoi lufta, gratë e Srebrenicës bënë gjithçka që mundën për të gjetur djemtë, burrat, vëllezërit dhe baballarët e tyre.

Ata regjistruan një shoqatë dhe filluan lobimin, duke trokitur nëpër dyer, duke këmbëngulur, duke marshuar në shenjë proteste dhe duke dhënë intervista nëpër media.

Por askush nuk do t’i ndihmonte, tha Hotiç. Zyrtarët u mbyllën dyert në fytyrë ose s’ua hapën kurrë ato kur ata trokitën.

Autoritetet serbe të Bosnjës që kontrollonin Srebrenicën u përpoqën të mos i lejonin gratë të vizitonin qytetin pas luftës, e jo më të kërkonin eshtrat e njerëzve të tyre të dashur apo të riktheheshin në shtëpitë e tyre.

Por nënat, motrat dhe vejushat nuk kishin asgjë më shumë për të humbur dhe kurrë nuk hoqën dorë.

“Ne qëlluam me gurë Kryqin e Kuq, policinë… Duhej të tregoheshim të ashpër. Ishim të dëshpëruara,” pranoi Hotiç.

Mobilizim i mbështetjes

Fëmijë refugjatë jazidi në Irakun verior në vitin 2014. Foto: Defend International/Wikimedia Commons.

Gratë e Srebrenicës këmbëngulën dhe vazhduan të flisnin me zyrtarë vendorë dhe ndërkombëtarë, me burrë shteti dhe me organizata joqeveritare, me anëtarë të Kongresit të SHBA-së dhe me avokatë.

Në vitin 1996, u krijua Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur – një nismë e mbështetur nga presidenti i SHBA-së Bill Klinton – dhe i ngarkuar të gjente dhe identifikonte viktimat e luftës në Bosnjë.

Kur ekspertët e mjekësisë ligjore filluan të gërmonin një varr masiv pas një tjetri, gratë qëndronin mbi gropa dhe shikonin çdo lëvizje që bënin ata.

Ata të gjithë dhanë gjak dhe mobilizuan refugjatët e Srebrenicës në mbarë botën që ta bënin këtë për të krijuar një bankë ADN-je prej më shumë se 100,000 kampionesh të cilat mund të krahasoheshin me ADN-në e çdo eshtre që u gjet.

Gratë paditën këdo që mundën në çdo gjykatë që do të pranonte çështjet e tyre, si në Bosnjë ashtu edhe jashtë vendit. Ata paditën Holandën sepse ushtarët e saj që shërbenin si paqeruajtës të OKB-së në Srebrenicë nuk i mbrojtën si duhet burrat boshnjakë. Madje, ata u përpoqën të padisnin edhe vetë Kombet e Bashkuara.

Disa raste u humbën, të tjera u fituan, por rezultati ishte një sukses që historia do ta mbajë mend.

Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur tani është një organ ndërkombëtar me bazë në Hagë që ndihmon në gjetjen dhe identifikimin e viktimave të konflikteve dhe fatkeqësive natyrore në mbarë botën, që nga viktimat e gjeneralit Pinochet në Kili e deri tek viktimat e tsunamit aziatik në vitin 2004.

Dëshmitë e mbledhura nga varret masive të Srebrenicës, dëshmitarët në rastet gjyqësore dhe dokumentet e marra gjatë bastisjeve i ndihmuan prokurorët në gjykatën e krimeve të luftës të Hagës të vërtetonin se krimi që kishin kryer të pandehurit ishte “shkatërrimi i qëllimshëm dhe sistematik i një grupi racor, politik apo kulturor” ose pjesë e një grupi – përkufizimi i gjenocidit.

Kjo më pas i ndihmoi gjyqtarët në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë të vendosnin se Srebrenica ishte një akt gjenocidi.

Ndërkohë, viktimat arritën të lobonin për para dhe mbështetje politike për ndërtimin e një qendre përkujtimore në Srebrenicë – një varrezë e madhe ku tashmë prehen shumica e njerëzve të tyre të dashur.

Vërtetimi i gjenocidit

Jazidit thonë se tani duan të arrijnë diçka të ngjashme me atë që arritën gratë e Srebrenicës.

“Komuniteti i jazidëve është i angazhuar në mënyrë aktive për ta çuar çështjen e tij para komunitetit ndërkombëtar,” tha Tanja Domi, ndihmës profesoreshë e çështjeve ndërkombëtare dhe publike në Columbia University, i cili ka ndjekur nga afër procesin e Srebrenicës për më shumë se dy dekada.

Ata aktualisht “po mësojnë nga zgjuarsia dhe eksperienca e komunitetit të Srebrenicës, pasi kanë kryer një fushatë të pafundme për dhënie llogarie që prej gjenocidit,” shtoi Domi.

“Nga një sërë tregimesh, ka një përfundim të përhapur se ndaj jazidëve në Irak është kryer gjenocid nga luftëtarët që kanë lidhje me Shtetin Islamik,” tha ajo.

Vitin e kaluar, një raport i nxjerrë nga një Komision i Pavarur Ndërkombëtar Hetimi i mandatuar nga OKB-ja përshkroi krimet e kryera kundër jazidëve “tmerre të paimagjinueshme”, duke përfunduar se këto krime në tërësinë e tyre përbënin gjenocid.

Raporti përshkroi vrasjet, skllavërinë seksuale, skllavërimin, torturën dhe trajtimin çnjerëzor dhe degradues që pësuan jazidët.

Ai listoi gjithashtu “imponimin e masave për të mos lejuar lindjen e fëmijëve jazidë, përfshirë konvertimin e detyruar të të rriturve, ndarjen e burrave dhe grave jazidi dhe traumën mendore, si edhe transferimin e fëmijëve jazidi nga familjet e tyre dhe vendosjen e tyre me luftëtarët e ISIS, duke i larguar ata nga besimet dhe praktikat fetare të komunitetit të tyre”.

“ISIS kërkoi – dhe vazhdon të kërkojë – t’i shkatërrojë jazidët në mënyra të shumta, siç parashikohet nga Konventa e Gjenocidit të vitit 1948,” përfundonte raporti.

Domi tha se ajo shikon shumë ngjashmëri mes asaj që u ndodhi jazidëve dhe boshnjakëve të Srebrenicës.

Ajo theksoi atë që ajo e karakterizon si disa nga krimet më të këqija të kryera kundër jazidëve – rrëmbimin e raportuar dhe skllavërimin seksual të grave jazidi nga luftëtarët e ISIS-it, të cilët në të njëjtën kohë kryen vrasje të burrave jazidi.

“Këto krime janë paralele me atë që u ndodhi boshnjakëve gjatë luftës së viteve 1992-1995,” tha Domi.

Njohje ligjore

Sipas PAX, në Irak dikur jetonin një total prej 550,000 jazidësh.

Si rezultat i sulmit të ISIS në vitin 2014, 360,000 jazidë u zhvendosën brenda vendit dhe 90,000 u larguan nga vendi, pretendon organizata.

Nga 3,547 gra dhe vajza që u rrëmbyen, deri më tani janë kthyer vetëm 1,911. Shumë prej atyre që u rrëmbyen u desh të duronin abuzim të rëndë seksual gjatë kohës që mbaheshin të kapura nga ISIS.

Nga 2,870 djem të rrëmbyer, 1,137 janë kthyer deri më tani, tha për BIRN van Vliet i PAX.

“Në këtë moment, një total prej 1,293 jazidësh janë vrarë dhe janë gjetur 43 varre masive,” tha ai.

“Është e domosdoshme që këto prova mjeko-ligjore të mblidhen sa më shpejt që është e mundur dhe që te mbijetuarit dhe viktimat të kenë ditën e tyre në gjykatë,” bëri thirrje Domi.

Në një deklaratë për të shënuar përvjetorin e tretë të masakrave të enjten, këshilltarja ligjore e të mbijetuarve të jazidëve, Amal Clooney, i bëri jehonë kësaj thirrjeje për njohje ligjore.

“Është e turpshme që tre vjet pas fillimit të gjenocidit, asnjë anëtar i ISIS nuk është shpallur përgjegjës për këtë gjë në gjykatë. Pres me padurim ditën kur jazidët dhe viktima të tjera të ISIS të mund të përballen me abuzuesit e tyre në një gjykatë në Hagë,” tha Clooney.

Përkujtimorja e jazidëve të enjten ishte një hap para në rrugën që të mbijetuarit boshnjakë të Srebrenicës e kanë shkelur tashmë.

Hapi i radhës do të jetë i vështirë për jazidët dhe do të dojë vite, por Hotiç tha se ia vlen që këto hapa të ndërmerren.

“Nuk i kthejmë dot pas të vdekueit, por mund të ndjejmë drejtësinë,” tha ajo.

“Kjo i jep viktimave dhe pjesës tjetër të njerëzimit një lloj kënaqësie dhe brezave të ardhshëm u jep një mësim.”

 

06 Gusht 2017 - 13:34

Igor Spaic, BIRN 06/08/2017 - 13:34
NDËRVEPRIMI0

Jazidët që i Mbijetuan Masakrës Marrin Mësime nga Srebrenica

by Kallxo
NA NDIQNI

Send this to a friend