Halil Halili; Foto: Kallxo.com

Ekskursioni me Nënshkrim të Falsifikuar

Më 7 prill të këtij viti SBAShK-u mori një vendim që me mjetet e siguruara në fondin për rekreacion të paguajë pushime 5 ditore për sindikalistë/e të dalluar.

Vendimi i SBAShK-ut për dërgimin e 420 sindikalistëve për pushime në Durrës të Shqipërisë, specifikon se përzgjedhja  e mësimdhënësit/es  për pushime bëhet nga sindikata e shkollës përkatëse.

Gjithashtu, ky vendim përcakton një kuotë gjinore për të përzgjedhurit për pushime që është 60 për qind meshkuj dhe 40 për qind femra.

Halili thotë se rregulla e brendshme e sindikatës për mënyrën e delegimit të sindikalistëve në pushime është shkelur.

“Përzgjedhja është dashur të bëhet nga ana ime me anëtarët e shoqatës së sindikatës së shkollës sonë… por kjo nuk është bërë ashtu”, tha Halili.

Në raportin e dërguar në SBASHK thuhet se vendimi është marrë nga një mbledhje e sindikatës së shkollës ku nënshkrues janë Halil Halili dhe kryetari i Sindikatës për Komunën e Podujevës, Fadil Halimi. Por, Halili thotë se ajo mbledhje asnjëherë nuk është mbajtur dhe se nënshkrimi i tij është falsifikuar.

“Kur erdha këtu në qendrën e SBAShK-ut dhe mbeta i befasuar kur ata më ofruan këtë raport që thotë se gjoja në shkollën  tonë është mbajtur mbledhje e sindikatës që duhet ta drejtoj unë. Këtu është vënë edhe nënshkrimi im që konsideroj se është shkelje ligjore”, tha Halili.

Halili konsideron se përzgjedhja e një mësueseje nga shkolla e tij për të shkuar në pushime është bërë nga Halimi në bashkëpunim me drejtorin e shkollës “Jahë Hasani”, Hamit Beqiri.

Hamit Beqiri, drejtor i Shkollës “Jahë Hasani” e pranon që është përfshirë në përzgjedhjen e mësimdhënëses që do të shkojë në pushime.

“Unë i kam treguar shkurt se në shkollën tonë janë dy punëtore njëra që punon qe tre muaj dhe njëra që ka tre vjet e tepër që punon si arsimtare e gjuhës angleze në shkollën tonë. Ma ka kërkuar emrin e asaj punëtores më të vjetër, ia kam dhënë edhe krejt ka qenë ky”, tha Beqiri.

Megjithatë, kryetari i Sindikatës Komunale të Arsimit, Fadil Halimi e pranon se ka vendosur për të dërguar mësimdhënësen në pushime në pamundësi që të konsultohet me kryetarin e sindikatës së shkollës, Halil Halili.

Mirëpo, thotë të mos ketë nënshkruar në emër të Halilit.

“Unë e kam nënshkruar, nuk e di kush ma ka sjellë…nuk më kujtohet kush ma ka sjellë. Kemi mundur të konsultohemi dhe unë besoj se nuk do të kishte pengesa por afatet na kalojshin, koha vike për me i dërgu në pushime dhe nuk e kam paramenduar se do të ketë ndonjë ankesë se një kolege e tyre shkon në pushime dhe kam marrë vendim vetë, unë kam vendosur që ajo të shkojë”, tha Halimi.

Kryetari i e SBASHK-ut në këtë komunë, Rrahman Jashari thotë se gjithçka ka shkuar sipas rregullave.

“Theksojmë se personi që është përzgjedhur në shkollën e tij (Halil Halili) plotëson të gjitha kriteret e përcaktuara nga Këshilli Drejtues i SBASHK-ut dhe informacionet tona flasin se të punësuarit në këtë shkollë janë konsultuar lidhur me këtë nga kryetari i nivelit komunal sindikal në Podujevë, z. Fadil Halimi”, tha Jashari.

Ai premton se do të ketë një hetim për këtë pretendim të sindikalistit Halili.

“Ne me të kthyer në Kosovë do të merremi seriozisht me rastin konkret dhe do të komunikojmë edhe me të punësuarit në shkollën  “Jahë Hasani” dhe do të marrim masat e lejuara nga Statuti i SBASHK-ut”, deklaroi Jashari.

Ai tregoi se SBASHK-u në përpjekje për të qenë plotësisht transparent  ka botuar listën e pushuesve me emrat e përzgjedhur nga vetë shkollat dhe njësitë akademike.

“E kemi hapur mundësinë që të punësuarit në arsim të reagojnë nëse kanë dëshmi konkrete se janë bërë shkelje nga kushdoqoftë në komuna e njësi akademike”, tha ai.