Gjergj Vlashi | Foto nga : Gëzim Kabashi

90 Vjeçarët Durrsakë Ruajnë Gjallë Kujtesën Historike të Qytetit

Bashkëqytetarët i konsiderojnë ata si një “minierë e pashfrytëzuar” për historinë e qytetit, e mbi të gjitha si një kategori gjithnjë e më e pakët në numër për të ritreguar shekullin e 20-të. Ndërkaq pushteti vendor është i vëmendshëm me ta vetëm në raste festash jubilare, pa menduar për “thesarin” që ata bartin, falë përvojës së tyre.

NDËRLIDHUR

Mosha e Gjergj Vlashit dhe Ali Sulës ndodhet në të dy anët e stekës prej 90 vitesh. Kujtesa e tyre i rikthehet viteve 1930-të kur ata ishin ende nxënës. Dr. Aliu kujton takimin me At Gjergj Fishtën në bibliotekën franceskane të Tiranës. “Ishte i veshur me zhgun dhe me konop rreth belit, mjaft i pashëm dhe i qeshur – sjell në kujtesë për BIRN Ali Sula, duke riprodhuar edhe fjalët e fratit poet: Pse e ke pru kët camërdhok deri këtu?”. Më pas dr. Aliu rreshton mësuesit e tij në Institutin “Illyricum” Justin Rrota, Gjon Shllaku, Benedikt Dema, Pashk Bardhi, Donat Kurti e Athanas Gega, të gjithë emra të shquar të kulturës sonë kombëtare.  Edhe Gjergj Vlashi ka qenë i vogël, kur prindët e dërguan në shkollë në Shën Mitri Korona (Kalabri). “Më caktuan në klasën ku kishte dhënë mësim Jeronim de Rada-thotë thjesht Gjergji.

Të moshuarit e Durrësit që nuk heqin dorë nga pasionet e hershme nuk janë të pakët. Mazllum Reka, 88 vjeç, herë pas here i shtrohet punimit të mozaikëve me gurë zalli, duke i ardhur keq që për këtë mjeshtëri shumë pak të rinj janë të interesuar. Ndërkaq Nexhip Xheneti merret me gjyqet e pafund të pronave, të cilat i konsideron me humor një punë intelektuale që i bën mirë për të mbajtur mendjen në formë. 90 vjeç që nga 5 shkurti i këtij viti Nexhipi i përgjigjet shkurt pyetjes sime se me çfarë do të merrej nëse nuk do të ishin gjyqet e pronave. “Do të kujdesesha për financat e ndonjë firme. Këtë di të bëj-thotë 90-vjeçari Nexhip Xheneti, që nuk heq dorë nga puna.

E kaluara dhe kujdesi për ta bërë të njohur historinë e afërt të qytetit nuk mungon në krijimtarinë e regjisorit, shkrimtarit dhe përkthyesit Gjergj Vlashi, i cili në 13 korrik festoi 89-vjetorin e lindjes. “Netët e një qyteti” është libri i fundit i radhës në listën e botimeve për autorin dhe i kushtohet tërësisht Durrësit. Njëlloj si romani i parë “Njeriu i netëve të vjeshtës”, shkruar për ditët e fundvitit 1943 kur Durrësi u zbraz nga nazistët dhe një nga banorët u bë dëshmitari i vetëm i jetës në një qytet fantazëm.

Nexhip Xheneti | Foto nga : Gezim Kabashi

Qyteti dhe e ardhmja e tij mbeten një merak i përhershëm në krijimtarinë e autorit Vlashi, i cili këto ditë ka përfunduar edhe përkthimin e romanit “Madhështia e tragjedisë” nga shkrimtari spanjoll Quim Monzo. “Kjo është jeta ime – shprehet Gjergj Vlashi, i cili prej vitesh punon çdo ditë me të njejtat ritme dhe duke u bërë një shembull mjaft i mirë për bashkëqytetarët që i kanë dhënë titullin “Qytetar nderi”, ndërsa është dekoruar edhe me titullin “Nderi i Kombit”.

Dr. Ali Sula ka festuar 94-vjetorin e lindjes në maj të këtij viti. “Në vitin 1923 kur u linda, në Durrës prindët i regjistronin me vonesë të posalindurit për shkak të rrezikut të vdekjes që vinte nga malarja-tregon për BIRN mjeku Ali Sula. Ai duhet të jetë nga të paktët durrsakë, që kujtojnë ende tërmetin e dhjetorit të vitit 1926. “Xhamat u drodhën bashkë me shtëpitë për dy-tre ditë radhazi, dhe ky është kujtimi i parë i fëmijërisë për mua – sjell në mend dr. Aliu. Po njëlloj ai kujton edhe zbatimin e planit urbanistik të Durrësit në atë kohë, duke vlerësuar z. Ahmet Dakli në vitet 1930 si “kryebashkiaku më i mirë i qytetit”.

Mjeku i nderuar ka shkruar dy libra për historinë e Durrësit në vitet 1930-1940, njëri prej të cilëve në gjuhën italiane. “Reminiscenze durazzine”, botimi i shoqëruar me dhjetra foto të kohës, që ai e quan “një trill serioz”  u bë shpejt mjaft i kërkuar nga vizitorët e huaj që mbërrinin në Durrës në vitet e kapërcimit të shekujve. Mjaft prej fqinjëve nga Italia kuptonin të kaluarën e këtij qyteti në periudhën e paraluftës së Dytë Botërore përmes tregimit të një dëshmitari.

Kohët e fundit Dr. Aliu ka botuar një libër mbi historikun e sistemit shëndetsor në rrethin e Durrësit. Sipas kolegëve mjekë është historiku i mbështetur jo vetëm në dokumenta, por edhe në njohjet e drejtpërdrejta që mjeku i shquar ka patur me paraardhësit e tij, si dhe me sistemin e institucioneve që tani nuk ekzistojnë më. Dy muaj më parë, kur Presidenti I Republikës e dekoroi me titullin “Mjeshtër i Madh” dr. Aliu tha vetëm këto fjalë: “Ky titull i takon edhe shëndetsisë dhe spitalit të Durrësit”.

Dr. Aliu lexon dhe shkruan thuajse çdo ditë. I ndërgjegjshëm për kufizimet e moshës, ai mendon se bashkë me shëtitjet e përditshme, puna intelektuale mbetet një nga mjekimet më efikase për shëndetin. “Janë tepër të rëndësishme prejardhja gjenetike dhe dieta e ushqimit, por puna mbetet faktor prioritar-thotë mjeku i nderuar.

Doktor Ali Sula | Foto nga : Gezim Kabashi

Megjithëse ka kaluar 94 vjet, Ali Sula vazhdon të jetojë me shqetësimet e qytetit, veçanërisht me ato që lidhen me historinë e vjetër dhe të re të tij. “Ne ende nuk e dijmë se ku kanë përfunduar 80 objektet arkeologjike që u grabitën në vitin 1997 nga Muzeu Arkeologjik i Durrësit-shprehet dr. Aliu, ndërsa flet për mundësinë e rikthimit të artefakteve të zbuluara në qytet e që ndodhen në muzetë e vendeve të Evropës, në Vjenë, Stamboll, Romë apo Londër. Studiuesi Hasan Ulqini ka përgatitur një listë të këtyre objekteve dhe një kërkesë për të patur të paktën kopjet e tyre është më se e ligjshme. “Ne duhet ta bëjmë sa më shpejt këtë kërkesë-thotë dr. Aliu, pa e përjashtuar veten nga kjo nismë.

“Durrësi nuk duhet ta harrojë të kaluarën e vet – vlerëson mjeku i njohur, që mërzitet për investimet e bëra pa kujdes dhe që ndikojnë negativisht në shëndetin e qytetarëve. Duke folur për rëndësinë e turizmit në qytetin antik, dr. Aliu nënvizon se “buxheti I bashkisë përmirsohet duke rindërtuar traditën dhe këtë mund ta bëjnë vetëm profesionistët”. Më pas përsërit se shëndeti nuk bëhet vetëm me recetat e mjekut, por me kushtet në të cilat ai jeton. “Parqet e gjelbëruara apo plazhi janë shkatërruar në mënyrë katastrofike , njëlloj si qyteti, dhe sipas mjekut Ali Sula kjo është pasojë edhe e mungesës së sensit të përshtatjes me të kaluarën.

17 Korrik 2017 - 16:38

Gëzim Kabashi | BIRN | Durrës 17/07/2017 - 16:38
NDËRVEPRIMI10

90 Vjeçarët Durrsakë Ruajnë Gjallë Kujtesën Historike të Qytetit

by Doruntina Baliu
NA NDIQNI

Send this to a friend