Dominon Tregtia në Bizneset e Reja

Numri i gjithsej ndërmarrjeve të reja për këtë vit ishte 9,833 krahasuar me 9,404 sa ishin në periudhën e njëjtë të vitit paraprak, përderisa numri i bizneseve të mbyllura arriti në 2,205, krahasuar me 1,671 biznese të mbyllura sa ishin për vitin 2014.

Vetëm në tre muajt e fundit të 2015-ës janë regjistruar 2,480 biznese, ndërsa janë mbyllur 970. Mirëpo, ky numër i bizneseve të mbyllura në këtë tremujor që është njëherësh numri më i madh i bizneseve që shuhen qysh nga viti 2010.

http://kallxo.com/2240734-2

Për vitin 2015, raporti ndërmjet ndërmarrjeve të mbyllura dhe atyre të reja ishte 22.4 për qind, ndërsa në vitin 2014 ky raport ishte 17.8 për qind.

Ndërsa, sa i përket strukturës së ndërmarrjeve të reja, trendi ka vazhduar të jetë relativisht i ngjashëm me vitet paraprake. Bizneset tregtare vazhdojnë të dominojnë këtë strukturë dhe përfaqësojnë 29 për qind të të gjitha ndërmarrjeve të reja të regjistruara.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës në vitin 2015 janë regjistruar 2,903 ndërmarrje të reja, ose 29.5 për qind e tyre kanë zgjedhur të merren me zejen e tregtisë.

http://kallxo.com/tregtia-prin-te-bizneset-e-reja

Vërehet një rritje e ndërmarrjeve bujqësore nga 7.2 për qind që ishte në vitin 2014 në 9.6 për qind për vitin 2015. Po ashtu, ndërmarrjet prodhuese rritën pjesëmarrjen nga 10.4 për qind sa ishte për vitin 2014 në 10.65 për qind për vitin 2015.

Kjo rritje e numrit të ndërmarrjeve të regjistruara në sektorin e bujqësisë dhe atë të prodhimit deri në një shkallë mund të reflektojë edhe përshpejtimin e rritjes së kreditimit bankar për këta sektorë të ekonomisë.

Sa i përket madhësisë së ndërmarrjeve, pjesëmarrjen më të lartë me mbi 90 për qind në të gjitha  ndërmarrjet e regjistruara për vitin 2015 e përbën kategoria e mikro-ndërmarrjeve me 1-9 të punësuar.

Ndërsa, sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të reja në nivel të komunave edhe në vitin 2015 ashtu si në vitet tjera, Prishtina mbizotëron me ndërmarrje të reja apo me 24 për qind, pasuar nga Peja me 7.5 për qind, Prizreni me 7 për qind, Ferizaj me 6.5 për qind dhe Gjakova me 5 për qind, ndërsa komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara gjatë këtij viti.

Meshkujt vazhdojnë të jenë zotëruesit në hapjen e ndërmarrjeve me rreth 80 për qind të ndërmarrjeve të reja, kurse pjesa tjetër janë hapur nga femrat.

Gjatë vitit 2015 në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI) janë regjistruar rreth 428 biznese me pronarë të huaj.