Djegia e Gomave në Kërkim të Largimit të Arsimtares

Këta nxënës që nuk u futën në klasat e mësimit as dje, po kërkojnë largimin e arsimtares Fahrie Sejdiu.

Sejdiu filloi të japë lëndën e gjuhës dhe letërsisë shqipe në këtë shkollë, pas vdekjes së mësimdhënësit Isuf Haradinaj.

Nxënësit që sot dogjën goma në oborrin e shkollës në shenjë proteste kundër mësimdhënëses, po kërkojnë që gjuhë e letërsi shqipe t’u japë Visar Haradinaj, djali i arsimtarit të ndjerë.

Behxhet Bregu, drejtori i Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “Migjeni” e pranoi kur foli për KALLXO.com se arsimtarja Sejdiu erdhi pa konkurs, por tha se ajo do të japë mësim përkohësisht.

“Ne dhe Drejtoria e Arsimit në Vushtrri jemi marrë vesh që ta sjellim një arsimtare derisa të krijohen kushtet e konkursit, mirëpo nxënësit e manipuluar nga dikush këtë nuk e kanë pranuar dhe që dy ditë po e bojkotojnë mësimin,” tha Bregu.

Drejtori Bregu tregoi se edhe arsimtari që nxënësit po kërkojnë të japë mësim, ka arsim të lartë.

“Edhe Visari djali i arsimtarit të ndjerë e ka të përfunduar fakultetin e gjuhës shqipe”, tha Begu.

Drejtori i Arsimit në Komunën e Vushtrrisë Musaj Tërbunja tha se nuk ka informacione se çfarë po ndodh në shkollën në Stanovc, por premtoi se pasdite do të mund të flasë për këtë çështje.

KALLXO.com tentoi të flasë edhe me arsimtaren Fahrie Sejdiu rreth bojkotit të nxënësve, por ajo nuk deshi të prononcohet.

Zjarrin e shkaktuar nga gomat e djegura në oborr të shkollës e shuan zjarrfikësit.