Komuna e Vushtrrise

 Drejtoria e Arsimit në Vushtrri testoi në ditë të ndryshme kandidatët për mësimdhënës të kimisë, anulohet konkursi

Konkursi i hapur për mësimdhënës të lëndës së kimisë nga Komuna e Vushtrrisë në shtator të vitit të kaluar është anuluar me arsyetimin se komisioni përzgjedhës ka dështuar të respektoj procedurat e rekrutimit.

Tre kandidatët për këtë pozitë kanë mbajtur testin me shkrim në ditë të ndryshme. Dy nga ta janë testuar në të njëjtën ditë, ndërsa kandidatja tjetër i është nënshtruar testit ditë më vonë. 

Konkursi ishte hapur më 8 shtator të 2022 për një mësimdhënës të lëndës së kimisë, i njëjti u anulua më 27 dhjetor me arsyetimin se komisioni përzgjedhës ka dështuar të respektoj procedurat e rekurtimit.

Për konkursin për mësimdhënës të lëndës së kimisë në në Shkollën e Mesme të Ulët (ShMU) “Nadakofc”, ShMU “Latif Berisha” dhe ShMU “Pestovë”, fillimisht kishin aplikuar pesë kandidatë por vetëm tre iu kanë nënshtruar testit me shkrim.

Më 3 nëntor 2022 testit me shkrim iu kishin nënshtruar dy kandidatë, ndërsa kandidatja Liridona Rama disa ditë më vonë. Liridona Rama ishte shpallur kandidatja më e suksesshme në këtë konkurs.

Njëri nga kandidatët kishte bërë ankesë në Drejtorinë e Arsimit në Vushtrri, pasi i njëjti më 3 nëntor në sallën e testimit nuk e kishte parë Liridona Rama, ndërsa e njëjta figuronte në listën e rezultateve.

“Testimi filloi në ora 09:15 dhe përfundoi në ora 09:55 me vetëm dy kandidatë… Pra kandidatja e dytë në listën e publikuar Liridona Rama nuk ka qenë fare në testim me shkrim…” – thuhet ndër të tjera në ankesën e kandidatit e siguruar nga KALLXO.com.

Por Liridona Rama në një përgjigje për KALLXO.com thotë se ajo i është nënshtruar testit disa ditë më vone, e vetme në zyrën e Drejtorisë së Arsimit në Vushtrri. Një gjë të tillë e konfirmon edhe Komuna e Vushtrrisë.

Rama thotë se e njëjta nuk ishte njoftuar me kohë për testin me shkrim dhe më pas ishte interesuar në DKA në Vushtrri, e cila ia ka mundësuar testimin pas datës 3 nëntor.

Ajo deklaroi se gjatë testit është mbikëqyrë nga një anëtar i komisionit.

“Nëse është një e padrejtë që i është bërë dikujt, ajo jam unë. Unë kam qenë në test veç vet mua më kanë thirr pasi e kanë përfundu të tjerët testin më kanë thirr. Paraprakisht kam shku kam bërë ankesë të kryetari i Komunës dhe në DKA iu kam thënë pse nuk më keni thirr ata janë përgjigj që e kemi gabu emailin janë mundu me arsyetu. Më 4 nëntor unë kam shku me u interesu dhe më kanë thënë që testi me shkrim ka përfundu. Pastaj më kanë dërgu email më 7 nëntor që më 9 nëntor me shku me e mbajt testin. Kam qenë në zyre të DKA-së aty janë kanë krejt, të gjithë që punojnë aty”- ka thënë ajo për KALLXO.com.

Nga Drejtoria e Arsimit në Vushtrri kanë thënë se Liridona Rama është testuar veçmas për shkak ‘të lëshimit teknik’ dhe se Udhëzimi dhe Ligji nuk përcaktojnë sipas tyre se çfarë duhet të bëjnë në këto raste.

Sipas drejtorisë pyetjet e testit të Liridona Ramës kanë qenë të njëjta me të kandidatëve të tjerë.

Për këtë ‘shkelje të paqëllimt’ sipas DKA në Vushtrri nuk janë marrë masa ndaj komisionit përzgjedhës për këtë konkurs ani pse për këtë ‘shkelje të paqëllimt’ është anuluar konkursi.

Në një përgjigje për KALLXO.com DKA në Vushtrri ka rënditur sipas saj edhe disa sfida që ata përballën gjatë procedurave të konkurseve.

“Zgjatja e procedurave të konkursit sipas ligjit LIGJI NR. 06/L – 114 PËR ZYRTARËT PUBLIKË i cili përcakton 30 ditë qëndron i hapur, pastaj 15 ditë koha për aplikimin e kandidatëve, lista e ngushtë 3 ditë, 2 ditë lista e ftesës për intervistë me shkrim , 3 ditë qasja në teste, 2 ditë ftesa për intervistë me gojë, 8 ditë koha e ankesës komisionit për ankesa. Gjithsej 63 ditë punë të realizohet një konkurs brenda afateve ligjore: Dështimi i konkurseve vetëm me një kandidatë (edhe pse është i kualifikuar): Mungesa e të kualifikuarve për lëndët shkencore”- thonë nga kjo drejtori.

Rreth 138 orë të lëndës së kimisë janë humbur deri më tani në tri shkollat për shkak të mungesës së mësimdhënësit të lëndës së kimisë ndërsa nxënësit do të testohen vetëm për temat që janë zhvilluar në orët e mbajtura.