Musa Tërbunja, Drejtor i Komunal Arsimit në Vushtrri

Drejtori i Arsimit Zgjidhet në një Pozitë më të Ulët

Kjo për shkak se ai ka dalë kandidati më i suksesshëm në konkursin për pozitën zyrtar për arsimin e mesëm të lartë pranë Drejtorisë që e drejton ai.

Sipas një njoftimi të Njësisë së Personelit të Zyrës së Kryetarit, Musaj Tërbunja nga Komisioni i përzgjedhjes i shërbimit civil është zgjedhur si kandidati më i suksesshëm për pozitën në fjalë.

Vetë drejtori Tërbunja tha për KALLXO.com se ka konkurruar për pozitën e zyrtarit për arsimin e mesëm të lartë pasi që do të japë dorëheqje nga posti i drejtorit të Arsimit.

Ai tha se nuk ka ndonjë parregullsi në këtë konkurs.

“Kam kohë një muaj që të mendoj dhe në rast se nuk ka ankesa nga kundërkandidatët unë do të jap dorëheqje si drejtor i Arsimit dhe do të nënshkruaj kontratë si zyrtar i arsimit të mesëm të lartë”, tha Tërbunja për KALLXO.com.

Musaj Tërbunja dha arsyen pse po mendon të tërhiqet nga pozita e drejtorit të Arsimit.

“Nuk jam në gjendje të vazhdoj me këtë pozitë. Në momentin që vlerësoj që nuk jam i gatshëm të vazhdoj me këtë pozitë unë jap dorëheqje”, tha ai.

Në garë për pozitën në të cilën është përzgjedhur Tërbunja ishin edhe dy kandidatë: Ganimete Selimi dhe Naip Azemi.

Njoftimi për përzgjedhjen e tij është bërë më 4 maj dhe kundërkandidatët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditësh.