1774 Ankesa në Drejtim të Avokatit të Popullit Gjatë Vitit 2017

Institucioni i Avokatit të Popullit gjatë vitit 2017 ka pranuar 1774 ankesa ku kanë qenë të përfshirë 3144 persona.

Këto janë të dhënat preliminare të punës një vjeçare të prezantuara në konferencën e fundvitit të Institucionit të Avokatit të Popullit.

Shumica e këtyre ankesave, 87 përqind, në drejtim të Institucionit të Avokatit të Popullit kanë ardhur nga shqiptarët, 6 për qind nga serbët, 2 për qind nga boshnjakët dhe 5 për qind nga komunitetet tjera.

Kur këta numra kthehen në përfaqësim gjinor atëherë 74 për qind e ankesave te Institucioni i Avokatit të Popullit kanë ardhur nga burrat dhe 26 për qind nga gratë.

Më së shumti ankesa ka pasur për sistemin gjyqësor me 26 për qind, përderisa 25 për qind e ankesave kanë qenë për Ministritë, 16 për qind janë ankuar kundër komunave.

Nga 1774 ankesat gjatë vitit 2017, 679 raste janë mbyllur prej tyre 314 ankesa janë zgjidhur pozitivisht në pajtim me kërkesën e ankuesit.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari  ka folur për të arriturat e këtij institucioni gjatë vitit 2017 duke vënë theks të veçantë te vlerësimi i Barometrit të Ballkanit.

“Barometri i Ballkanit e ka vlerësuar Avokatin e Popullit si institucionin më të besueshëm në rajonin e Ballkanit. E dyta hetimi i rasteve nën mandatin ex officio. Fokus i është kushtuar mbrojtjes të drejtat të njeriut, është bërë promovimi i të drejtave të njeriut në bashkëpunim me mediat. Këto janë vetëm disa prej të arriturave kryesore. Rezultatet në Barometrin e Ballkanit tregojnë punën e të gjithëve në Institucionin e Avokatit të Popullit”, ka theksuar Jashari.

Gjatë vitit 2017 Institucioni i Avokatit të Popullit ka dhënë 130 rekomandime, prej tyre 29 për qind janë zbatuar, 46 për qind janë në pritje për zbatim dhe 25 për qind e rekomandimeve nuk janë zbatuar.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari po ashtu ndau një mirënjohje për gazetarin e gazetës Zëri, Enis Veliu për shkrimin e tij për pagesën e faturave të rrymës për komunat e veriut nga qytetarët e pjesës tjetër të Kosovës.

Sipas Hilmi Jasharit kjo ishte një pikënisje për përpilimin e raportit ku potencohet shkelja e të drejtave të njeriut nga Zyra e Rregullatorit të Kosovës (ZRRE).