Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Qëndron Kastrati premton pistë për 'motocross' e 'bungee jumping' në Kamenicë

Kandidati për kryetar të Komunës së Kamenicës nga PSD, Qëndron Kastrati i ftuar në Debat Pernime ka treguar synimet e tij për ta kthyer Kamenicën në një qendër për vizitorët e huaj.

Sipas Kastratit vëmendja e turistëve do të kthehet në Kamenicë përmes disa projekteve rekreative e në mesin e tyre edhe ndërtimin e një piste për motocross ku do të zhvillohen gara rajonale e ndërkombëtare.

“Ne i kemi dy synime kryesore për vende të punës e Kamenica qendër e vizitorëve çështja e dytë. Do të krijojmë një qendër rehabilituese për të moshuarit që kanë me i marrë edhe në Evropë. Kemi me i financu planet e biznesit dhe projektet dhe dhënien e tokave për tri fabrika. Themelimin e shoqërisë aksionare që me synu tregun evropian përmes bletarëve. Synojmë ta ndërtojmë një pistë për motocross për gara rajonale dhe ndërkombëtare, parkun e adrenalinës te liqeni i Busavatës, bungee jumping, zipline te liqeni i Busavatës, murin ngjitës në qytet, gara në shah e infrastrukturë për grupin e atletikës”, ka thënë Kastrati.

‘Bungee jumping’ është sport përmes të cilit sportistët me një litar të lidhur në këmbë kërcejnë me kokë nga një lartësi e madhe.

photo: Google

Po ashtu, Kastrati ka premtuar edhe krijim të infrastrukturës për klubet sportive.

“Në Roganë do ta bëjmë turnirin e futbollit të vogël që do të jetë ndërkombëtarë”, ka thënë Kastrati.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Kamenicës diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Kamenicës: Albert Sermaxhaj nga Nisma Socialdemokrate; Faton Jakupi nga AAK; Jeton Biqkaj nga LDK; Kadri Rahimaj nga LVV; Muhamed Kallaba nga PDK dhe Qëndron Kastrati nga PSD.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Kamenicës: Diana Kryeziu nga AAK; Donjeta Ismajli LVV; Egzona Isufi LDK; Jona Arifi nga PDK dhe Shqiponjë Morina nga PSD.