Gjykimi për tentim-vrasje | Foto: KALLXO.com

Gjykimi për Tentim-Vrasjen në “Metro Bar”

Prokurorja Fitore Sadikaj tha se janë gjetur mjaft prova që në shqyrtimin gjyqësor do të vërtetojnë fajësinë e të akuzuarve.

“Pas hetimeve të bëra kemi siguruar prova të mjaftueshme ku do të vërtetohet se të pandehurit kanë kryer veprat penale siç përshkruhet në aktakuzë, gjendja e tillë faktike do të vërtetohet edhe në bazë të deklarimeve të dëshmitarëve dhe provave tjera materiale që do të paraqiten në këtë shqyrtim gjyqësor,” tha Sadikaj.

Por avokatët e tetë të akuzuarve duke kundërshtuar aktakuzën thanë se gjykimi do të vërtetojë pafajësinë e klientëve të tyre.

Prokuroria Themelore e Prishtinës ngriti aktakuzë më 18 gusht 2015 ndaj Ilir Kadriut, Ramë Kadriut, Valon Islamit, Leotrim Ramadanit, Donik Veselit, Enis Merlakut, Ahmet Hysenit dhe Arianit Ramadanit.

Ilir Kadiu, Ramë Kadriu dhe Valon Islami janë të akuzuar nga prokuroria se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të tentim-vrasjes, pasi që më datën 28.04.2015 rreth orës 19:20 minuta në Fushë-Kosovë në lokalin “Metro Bar” me dashje kanë tentuar t’i privojnë nga jeta të akuzuarit tjerë të këtij rasti Leotrim Ramadanin, Donik Veselin dhe Ahmet Hysenin.

Leotrim Ramandanin, Donik Veselin, Enis Merlakun, Ahmet Hysenin dhe Arianit Ramadanin prokuroria i akuzon se kanë shkuar në kafiterinë “Metro Bar” me qëllim që të sulmojnë fizikisht të pandehurin Ilir Kadriun, pronarin e lokalit, pas një mosmarrëveshjeje të një dite më parë mes këtij të fundit dhe Leotrim Ramadanit.

Ilir Kadriun prokuroria e akuzon edhe për armëmbajtje pa leje, për të cilën vepër ai e pranoi fajësinë në seancën fillestare të zhvilluar në shtator të vitit të kaluar.

Në këtë seancë asnjëri nga të akuzuarit nuk pranoi fajësinë për veprat penale tentim-vrasje, ose sulm.

Në seancën e  radhës e cila u caktua të mbahet më 18 korrik u vendos që të ftohen disa dëshmitarë për zbardhjen e këtij rasti.

KALLXO.com ka raportuar edhe më herët për këtë gjykim.

http://kallxo.com/vetedeklarohen-te-pafajshem-te-akuzuarit-e-sulmit-ne-kafene/