Ilustrim, Foto: Pixabay

Video-lojërat mund të jenë të dobishme për fëmijët

Nëse video-lojërat janë të mira apo të këqija, apo si ndikojnë në zhvillimin dhe shëndetin mendor të fëmijëve, është debatuar për një kohë të gjatë. Edhe pse epidemia ka treguar se luajtja e video-lojërave mund të ketë një efekt pozitiv te njerëzit dhe t’i zvogëlojë ndjenjat e izolimit gjatë një bllokade, disa ende kanë frikë se video-lojërat mund të kenë një ndikim negativ te fëmijët.

Mirëpo, një studim i ri i publikuar në revistën Nature, i kryer me 9800 fëmijë në SHBA, doli me përfundimin se loja përmes video-lojërave ndikon në zhvillimin e inteligjencës së tyre. Autorët e studimit arritën në përfundimin se, pas dy vitesh vëzhgim, loja me video-lojëra ka një efekt pozitiv në inteligjencën e një fëmije. Konkretisht, video-lojërat kishin një efekt pozitiv në zhvillimin e inteligjencës tek fëmijët më shumë në moshën 9 dhe 10 vjeç sesa duke shikuar televizor ose duke u shoqëruar me miqtë.

Sa për krahasim, vetëm shikimi i televizorit apo shoqërimi me miqtë nuk ndikon në zhvillimin e inteligjencës së fëmijëve. Por, përkundrazi, shikimi i videove në internet pati një efekt pozitiv.

Studiuesit i krahasuan rezultatet e tyre me rezultatet e studimeve të tjera që trajtonin tema të njëjta ose të ngjashme dhe arritën në përfundimin se luajtja e video-lojërave mund ta përmirësojë vërtet inteligjencën dhe aftësitë njohëse të fëmijëve dhe të rinjve. Megjithatë, ata theksojnë se kjo nuk do të thotë që prindërit duhet t’u lejojnë fëmijëve kohë të pakufizuar për të luajtur me video-lojëra ose për të shikuar video në internet./ Nature