Loja 'Minecraft' është shitur me më shumë se 300 milionë kopje

Loja e popullarizuar “Minecraft” njihet tashmë si loja më e shitur e të gjitha kohërave dhe tani ka kaluar shifrën e 300 milionë kopjeve të shitura.

“Ndërkohë që i afrohemi 15 vjetorit tonë, ‘Minecraft’ mbetet një nga lojërat më të shitura të të gjitha kohërave me më shumë se 300 milionë kopje të shitura. Ky është një rezultat që askush nuk mund ta kishte ëndërruar kur i vendosëm blloqet e para”, ka deklaruar Helen Chiang, drejtoresha e kompanisë Mojang Studios.

Ky informacion u publikua gjatë ngjarjes së transmetimit të drejtpërdrejtë “Minecraft Live 2023” në të cilën komunikohen informacione për lajmet dhe risitë, si dhe përmban një votë të destinuar për lojtarët, të cilët mund të zgjedhin krijesa të reja për lojën. Këtë vit kishte një zgjedhje midis gaforres, armadillos dhe pinguinit.

Shifrat e arritura nga “Minecraft” janë të pabesueshme. Le të themi se albumi muzikor më i shitur “Thriller” i legjendarit Michael Jackson shiti 70 milionë kopje, dhe konsola më e shitur e lojërave PlayStation 2 arriti në 155 milionë njësi të shitura. Loja e dytë më e shitur e të gjitha kohërave “Grand Theft Auto V” ka shitur 185 milionë kopje./Klix.ba