Drejtori i FBI: Automjetet autonome paraqesin rrezik potencial

Përdorimi në rritje i automjeteve autonome mund të hapë rrugë të reja për terroristët për të sulmuar, paralajmëroi drejtori i FBI-së Christopher Wray duke folur në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

Duke folur në një panel të sigurisë kombëtare, Wray tha hapur se FBI i sheh automjetet autonome si një mjet të mundshëm për të shkaktuar dëm, por gjithashtu si një burim potencialisht të vlefshëm të të dhënave personale që terroristët mund t’i shfrytëzojnë për qëllimet e tyre.

Kur flisni për automjete autonome, kjo është diçka për të cilën të gjithë jemi të emocionuar. Por ka rreziqe, të cilat janë më se të dukshme dhe nga të cilat duhet të ruhemi, theksoi Wray.

“E kam fjalën për një histori që kam dëgjuar jo shumë kohë më parë, për studiuesit që arritën ta mashtrojnë algoritmin e një automjeti autonom duke vendosur një copë shirit të zi mbi një shenjë ndalimi. Kjo bëri që automjeti të përshpejtonte në vend që të ndalonte. Është një shembull i thjeshtë, por tregon rreziqet për të cilat duhet të mendojmë”, vuri në dukje Wray.

Ai shtoi se sasia e madhe e të dhënave që mbledhin automjetet autonome është gjithashtu një rrezik potencial.

“Sa herë që mbledhni shumë të dhëna të ndjeshme, ai bëhet një objektiv shumë joshëse”, shtoi Wray.

Prandaj, thekson Wray, se qeveria federale e SHBA po monitoron se çfarë po ndodh me automjetet autonome dhe po mendon për rreziqet që ato mund të paraqesin. Ai tha se lufta e Rusisë kundër Ukrainës e ka ofruar një pasqyrë të shembujve të rinj të zhvillimit të sulmeve kibernetike dhe tregoi se si disa aktivitete mund të jenë një pararendës i vetë sulmit.

“Ne pamë se si në prag të konfliktit pati një aktivitet të shtuar të shërbimeve të inteligjencës ruse, veçanërisht në aktivitetet keqdashëse kibernetike kundër infrastrukturës amerikane”, theksoi Wray dhe shtoi se kjo shkakton shqetësim në rritje në komunitetin e inteligjencës amerikane.

“Ne jemi gjithnjë e më të shqetësuar se aktivitetet e mbikëqyrjes – skanimi, hulumtimi, të gjitha aktivitetet përgatitore – mund të jenë tregues për diçka shumë më serioze”, paralajmëroi Wray.

Përveç Rusisë, komuniteti i inteligjencës është gjithashtu i shqetësuar për programin në rritje të Kinës për zhvillimin e inteligjencës artificiale.

Qeveria kineze e ka programin më të madh të hakerave nga çdo komb në botë, dhe programi i tyre i inteligjencës artificiale nuk i nënshtrohet asnjë ligji. Është ndërtuar mbi baza të mëdha pronësie intelektuale dhe të dhëna të ndjeshme që ata kanë vjedhur gjatë viteve dhe ka të ngjarë të përdoret për të avancuar atë program hakerimi, tha Wray, duke shtuar se të gjithë duhet të shqetësohen për këtë./Fox News

Përgatiti: Nuhi Shala