Detaje rreth prezantimit të serisë së re të telefonëve nga Samsung

Thashethemet për gjeneratën e re të serisë më të famshme të telefonave inteligjentë të Samsung qarkullojnë prej muajsh dhe këtë javë më në fund ka disa informacione zyrtare nga kompania koreano-jugore. Ata nuk i referohen vetë telefonave, por eventit ku do t’i prezantojnë modelet e reja të pajisjeve.

Gjenerata e re e telefonave të saj flagship do të prezantohet në eventin Unpacked, i cili do të mbahet në San Francisko në ditën e parë të muajit shkurt dhe është interesant fakti se për herë të parë që nga shpërthimi i pandemisë, prezantimi do të bëhet përmes një konference me prezencë të vizitorëve dhe mediave.

Edhe pse sigurisht që Samsung nuk i ka publikuar detajet për produktet që do t’i prezantojë, falë thashethemeve të shumta të deritanishme për pajisjet nga seria Galaxy S23, dihet pothuajse gjithçka dhe është e vështirë që kompania koreano-jugore të na befasojë. Pra, mund të presim tre telefona – Galaxy S23, S23+ dhe modelin S23 Ultra.

Pritshmëritë më të larta janë për modelin Ultra, i cili duhet të sjellë një aparat fotografik me rezolucion madje 200MP, së bashku me disa opsione të reja dhe të avancuara për fotografim dhe regjistrim. Ndërsa për dy telefonat e tjerë, rezolucioni i kamerës kryesore do të jetë 50 MP.

Të gjitha pajisjet duhet të mundësohen nga chipset Snapdragon 8 Gen 2, do të jenë të disponueshme në versionet me 8 dhe 12 GB memorie dhe në tri versione në varësi të hapësirës së ruajtjes – 256 dhe 512 GB dhe 1 TB. Të gjitha modelet do të funksionojnë gjithashtu në Android 13.

Telefonat ndoshta nuk janë pajisjet e vetme që mund t’i presim nga Samsung më 1 shkurt, dhe faqja SamMobile përmend gjithashtu laptopë të rinj. Përveç modeleve Galaxy Book 3 Pro dhe Pro 360, Samsung mund ta prezantojë laptopin e parë të markës së tij më të fortë Ultra, nga i cili, përveç procesorit të top modelit, mund të presim një ekran OLED./Dnevnik.hr