Southgate: Ndeshja me Kosovën ishte e vështirë

Trajneri i Kombëtares së Anglisë, Gareth Southgate, pas ndeshjes me Kosovën, ku fituan 4:0, në konferencë për media tha se ndeshja ishte e vështirë, por që ia dolën.

“Ishte një ndeshje e vështirë, por duhet të theksoj edhe njëherë mikpritjen e jashtëzakonshme që na u bë sonte. Në fillim e kishim vështirë të depërtojmë. Kemi pasur pak probleme me fushën e lagur”, tha ai.

Southgate ka shtuar se janë paralajmëruar  që do të kenë një pritje të tillë në Kosovë.

“Por ta përjetosh atë është një gjë shumë e veçantë. Sa i përket cilësisë së lojës, Kosova ka një ekip shumë të mirë, Kosova duhet të mësojë nga loja e fundit me Çekinë sepse ishte me presion të lartë për Kosovën. I dëshiroj Kosovës kualifikim përmes Ligës së Kombeve”, tha ai.

Trajneri i Anglisë shtoi se është shumë i kënaqur me ekipin e tij.

“Gjithsesi që është më mirë që të punosh dhe të fitosh në çdo ndeshje, ta kesh fatin në kontroll dhe çdo kundërshtar ta dijë që e pret një ndeshje e vështirë kundër teje. Asnjë lojtar nuk ka kurrfarë vetë kënaqësie. Në përgjithësi jam shumë i kënaqur me ekipin”, theksoi ai në konferencë pas ndeshjes.