Paralajmërohen masa shtesë ndaj të përfshirëve në incidentin e ndeshjes Ponte Prizreni – Peja

Federata e Basketbollit e Kosovës, ka dënuar Ponte Prizrenin dhe Pejën për incidentin e ndodhur mes këtyre dy ekipeve në kuadër të ndeshjes së pestë gjysmëfinale.

Ndeshja ishte ndërprerë për shkak të përleshjes fizike mes lojtarëve dhe stafit të dy skuadrave, pas përfundimit të pjesës së parë.

Këto dy klube priten të marrin edhe dënime të reja, pos ato nga FBK-ja.

Incidenti në Prizren është diskutuar sot në takimin e jashtëzakonshëm të Këshillit Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive.

Sipas njoftimit të MKRS-së, ky Këshill i trajton rastet e dhunës me seriozitet të lartë.

“Nga njoftimi i rastit të ndodhur në Prizren, Këshilli ka kërkuar nga Prokuroria hetimin e plotë të rastit, e cila ka njoftuar se tashmë një gjë e tillë ka filluar dhe deri më tani ndaj disa personave prokuroria e Prizrenit ka shqiptar masën e ndalimit prej 48 orëve. Policia e Kosovës dhe autoritet tjera të sigurisë po ashtu kanë njoftuar se janë duke bërë verifikimin e informatave dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë përmes intervistimeve dhe mbledhjes së provave”, thuhet në njoftim.

Këshilli ka pranuar incizime shtesë që janë proceduar në Prokurori.

“Këshilli do të përcjellë rastin në vazhdimësi deri në zbardhjen e tij”, thuhet në njoftim.