Atletët kosovarë garojnë me simbole shtetërore në Beograd

Atletët nga Kosova kanë garuar me simbole shtetërore në Serbi.

Përkundër që Serbia disa herë ka penguar pjesëmarrjen e sportistëve kosovarë në garat e ndryshme në shtetin fqinj, kjo nuk ka ndodhur me atletët.

Atletët kosovarë garuan të barabartë me të gjitha shtetet e tjera në Kampionatin Ballkanik U-22, që të shtunën dhe të dielën u mbajt në Beograd.

Kjo është bërë e ditur nga Komiteti Olimpik i Kosovës.

“Përfaqësimi i atletëve tanë në një garë ndërkombëtare në Beograd, është i pari, dhe vjen pas refuzimit të vazhdueshëm të Serbisë, e cila ua kishte ndaluar sportistëve tanë pjesëmarrjen me simbole shtetërore dhe fanella me mbishkrimin Kosova. Së fundi një gjë e tillë u kishte ndodhur boksierëve, që nuk u lejuan të marrin pjesë në botërorin e mbajtur në Beograd.” thuhet në njoftimin e KOK.

Kosova është përfaqësuar nga atletët Florentina Restelica, Sara Susuri, Ejona Shala, Enis Bytyçi, Granit Ahmeti si dhe Olti Bytyqi.

Ndërsa kur jemi te rezultatet Sara Susuri në disiplinën 60m u rendit e 12-ta me rezultat 8.15.

Olti Bytyqi në disiplinën 800m u plasua i shtati me rezultat 2:00.92, Ejona Shala në 1500m ishte e 9-ta me rezultat 5:16.80, Florentina Restelica në disiplinën 400m zuri vendin e dhjetë me rezultat 1:02.74, Enis Bytyqi në disiplinën 400m doli i nënti me rezultat 51.85, dhe Granit Ahmeti në disiplinën 400m u plasua i 11-ti me rezultat 53.03. Gresa Bakraqi theu rekord të Kosovës në disiplinën 800m për vajza me rezultat 2:09.53.