Shpallen Fajtorë 9 të Akuzuar për Terrorizëm

Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli fajtorë nëntë të akuzuar për terrorizëm dhe dy për armëmbajtje pa leje.

Hafiz Ahmeti, Naser Avdyli, Ibrahim Reshiti, Albert Berisha, Enis Begolli, Skënder Syla, Hajdin Elezi, Hajrush Lajçi, dhe Muxhahid Brava janë gjetur fajtorë për veprën penale të organizimit dhe pjesëmarrja në grupet terroriste nga trupi gjykues në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Në të njëjtën seancë të ditës së premte, u shpallën fajtorë për veprën penale të armëmbajtjes pa leje Samedin Halimi dhe Latif Lika.

Naser Avdyli dhe Hajdin Elezi u dënuan me nga 4 vite e 6 muaj burgim, ndërsa Ibrahim Reshiti dhe Enis Begolli u dënuan me nga 4 vite burg.

I dyshuari tjetër Albert Berisha, u dënua me nga 3 vite e 6 muaj burg, ndërsa Hajrush Lajçi, Skënder Syla, Muxhahid Brava dhe Hafiz Ahmet nga trupi gjykues u dënuan me nga 3 vite burgim.

Trupi gjykues dënoi me nga 6 muaj burg – që nuk do të ekzekutohet nëse brenda një viti nuk kryejnë ndonjë vepër të re penale për armëmbajtje pa leje – Samedin Halimin dhe Latif Liken.

Për shpenzimet gjyqësore në emër të paushallit gjyqësor të gjithë të akuzuarit, trupi gjykues i obligoi që të paguajnë nga 100 euro pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë më datën 7 maj 2015 ndaj Hafiz Ahmetit, Naser Avdylit, Ibrahim Reshitit, Albert Berishës, Enis Begollit, Skënder Sylës, Hajdin Elezit, Hajrush Lajçit, Agron Likës, Muxhahid Bravës dhe Samedin Halimit. Për armëmbajtje tani në vend të Agron Likës akuzohet prindi i tij Latif Lika, pasi arma kishte qenë e tij.

Samedin Halimi e Latif Lika akuzohen nga prokuroria për armëmbajtje pa leje, ndërsa të tjerët për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste.

Pas seancës për KALLXO.com avokati Hazër Susuri mbrojtës i Naser Avdylit tha se nuk ka prova që e vërtetojn se klienti i tij ka marr pjesë në grupet terroriste dhe se aktgjykimi ka shkelje të procedurës.

“Nuk ka asnjë provë që e vërteton tezën se klienti ime ka marr pjesë dhe i ka organizuar grupet terroriste dhe në këtë drejtim në mungesë të provave mendoj se gjykata me këtë aktgjykim ka bërë shkelje thelbësore të procedurës dhe vërtetimin e gjendjes faktike”, tha avokati Susuri.

Avokati tha se do të parashtroj ankesë dhe se shpreson që gjykata e apelit do ta kontrolloj këtë aktgjykim që sipas avokatit nuk është i ligjshëm.

“Ne tani e kemi shancën me u përgatitur me ankesë, dhe ankimimet tona do ti parashtrojmë me ankesën e cila i drejtohet gjykatës së Apelit dhe shpresojmë që gjykata e Apelit do ta kontrolloj këtë aktgjykim të cilët mendojmë që nuk është i ligjshëm”, përfundoi Susuri.

29 Prill 2016 - 16:07

Petrit Kryeziu 29/04/2016 - 16:07
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend