SHNET, aplikacioni i parë në Kosovë për edukatën seksuale

Për shkak të mungesës së lëndës së edukatës seksuale në Kosovë, tri studente të Fakultetit të Psikologjisë janë bërë bashkë dhe kanë krijuar një aplikacion të quajtur “Shnet” në mënyrë që të ndihmojnë bashkëmoshatarët e tyre që të informohen për trupin dhe seksin.

Dea Rexhepi, krijuesja e aplikacionit thotë se ideja ka lindur ngase secila prej vajzave në klasë ka pasur ndonjë martesë shumë të hershme, për shkak të ndonjë shtatzënie të hershme apo për shkak se shokët dhe shoqet kanë pasur ndonjë sëmundje seksualisht të transmetueshme.

“Kjo për shkak se nuk kanë pasur informacione të saktë ose veprime parandaluese dhe për këtë kemi menduar se një aplikacion është ideja më e mirë për me mbrojtë rininë kosovare”, thotë Dea Rexhepi.

Sociologia Sibel Halimi thotë se vajzat janë tërësisht të painformuara për trupin, seksualitetin dhe këto iniciativa janë shumë të domosdoshme në kohën kur edukata seksuale nuk është në kurrikulën e arsimit në Kosovë.

Aplikacioni përmban 4 komponentë.

Mes tjerash, aty përfshihen informacione për seksualitetin dhe mbrojtja nga sëmundjet e transmetueshme seksualisht.

Aplikacioni SHNET mund të shkarkohet falas. (REL)