Foto: Ilustrim

Vrasje në Dragash, Arrestohet i Dyshuari

Është arrestuar një 48 vjeçar i cili dyshohet të ketë kryer një vrasje në Dragash.

Zëdhënësi i Policisë së Prizrenit Hazir Berisha tha se sot rreth orës 15:00, Policia në Dragash ka pranuar një informacion  nga Qendra e Mjekësisë Familjare për një person i cili kishte arritur në spital pa shenja jete.

Sipas Hazirit, njësitë relevante të Policisë dhe krim-teknikës kanë dalë në vendin e ngjarjes për të

kryer hetime ku ishte i pranishëm edhe prokurori i shtetit.

Vendi i ngjarjes sipas njoftimit të tij dyshohet të jetë në një veturë në parkingun e pompës së karburanteve“Bashkimi Petrol” në Bresanë të Dragashit.

Hetuesit rajonalë kanë bastisur një shtëpi në kërkim të provave dhe dëshmive materiale, ku janë gjetur dhe konfiskuar dy pistoleta dhe një revolver me pesë fishekë dhe një gëzhojë me të cilin dyshohet të jetë kryer vrasja.

Në cilësi të personit të dyshuar është arrestuar një 48-vjeçar, i afërt me viktimën.

Haziri njofton se në ditët në vazhdim pritet të zbardhen rrethanat e ngjarjes.

Trupi i pajetë është dërguar për autopsi.