Albin Kurti në DebatPernime. Foto: Atdhe Mulla

‘Vijat e Kuqe’ Paszgjedhore  të Albin Kurtit

Kurti në një intervistë ekskluzive për emisionin “Jeta në Kosovë” u shpreh i sigurt në fitore të bindshme të Lëvizjes Vetëvendosje e cila sipas tij do të marrë vetëm partnerë të vogël në qeverisje.

“Më datën 9 qershor, në orën 21 në sheshin ‘Skenderbeu’ ne e konfirmojmë fitoren tonë në tubimin e madh përmbyllës, me datën 11 qershor me komisionerët dhe vëzhguesit tanë ne e mbrojmë fitoren tonë, me datën 12 qershor do ta festojmë fitoren tonë ndërkaq me datën 13 qershor përfundimisht do të dihet se çka ka mbetur prej këtyre koalicioneve dhe mandej ne do ta marrim një partner të vogël në qeverisje por është tepër herët që të flasim për një gjë kaq të madhe tash, pra me fjalë tjera kur të vijmë tek ajo urë do ta kalojmë”, tha Kurti.

Ai konsideron se LLV ka ‘vija të kuqe’ për PDK-në të këtillë siç është ndërsa thotë se do të  priten befasi të madhe duke iu referuar koalicioneve para dhe paszgjedhore.

“Lëvizja Vetëvendosje fiton në këto zgjedhje, del subjekti i parë dhe e merr një partner të vogël, më pastaj detyrimisht në mënyrë që të kalojmë mbi 60 deputetë që do ta votojnë qeverinë e ardhshme. Jo ne tash nuk mendojmë që PDK-ja e këtillë siç është ajo e cila do të mund të na bashkohej neve por ata nuk ekzistojnë realisht. Kemi dy koalicione që për bindjen tonë janë dy fraksione të të njëjtit regjim, me datën 12 dhe 13 qershor do të shihet se çfarë do të mbetet prej tyre. “Do të kemi befasi tepër të mëdha se çfarë do të ngjajë me këto koalicione pasi që të mbyllen vendvotimet”, deklaroi Kurti.

Kurti gjithashtu foli për politikat sociale që do t’i udhëheq kjo parti që sipas tij do të bëjnë kthimin e dinjitetit të qytetarëve dhe Kosovës.

“Dinjiteti vjen nëpërmjet punës dhe politikave sociale, nuk ka dinjitet pa politika sociale që e luftojnë pa barazinë. 4 mijë banesa sociale me banim të përballueshëm, 160 çerdhe për fëmijë anembanë Kosovës, shujta falas për të gjithë nxënësit prej klasës së parë deri në klasën e pestë, lehonia dymbëdhjetë muajsh, gjysmë e paguan shteti, gjysmë punëdhënësi, shtesa për fëmijë 58 milionë euro…. Ne do të synojmë që paga minimale të jetë dikund rreth gjysma e pagës mesatare””, u zotua Kurti

Kurti bëri këto komente në kuadër të edicionit të fundit të serisë ‘Debat Pernime’, ku janë shpalosur programe politike për tema të ndryshme në të gjitha ditët e fushatës zgjedhore.

Lëvizja Vetëvendosje garon e vetme në zgjedhjet e 11 qershorit.