Pamje nga seanca e gjykimit të mjekëve Kushtrim e Sabahate Gashi - Foto: KALLXO.com

Vazhdon Gjykimi i Mjekëve të Akuzuar për Keqpërdorim Detyre

Në gjykimin e tyre dëshmitarët e radhës ishin nga Inspektorati i Shëndetësisë, Diana Shehu-Devaja dhe Shaban Osmanaj.

Këta të fundit ishin lajmëruar nga Njësia e Krimeve Ekonomike për arsye se ordinanca e dy mjekëve Gashi nuk e posedonte reklamën.

Pas kontrollit në ordinancën kirurgjike të tashmë të akuzuarve, dy dëshmitarët kishin konstatuar se kjo ordinancë nuk është e licencuar nga Ministria e Shëndetësisë, për çka ishte marrë vendim të mbyllet dhe të dënohet me gjobë.

“Çdo institucion shëndetësor i palicencuar në bazë të Ligjit për Shëndetësi dhe Inpektoratin gjobitet me gjobë prej 2,000-8,000 euro. Në këtë rast gjoba ka qenë 2,000 euro dhe i njëjti e ka bërë pagesën e kësaj gjobe”, deklaroi dëshmitarja Shehu-Devaja.

E ftuar në cilësinë e dëshmitares ishte edhe ish-kryeinfermierja e repartit në QKUK, Myzafere Hajrizi-Azemi.

“Me Kushtrimin punoj në të njëjtin repart. Unë punoj si infermiere e në atë kohë kryeinfermiere. Marrja e barnave kur kam qenë kryeinfermiere është bërë me kërkesë përmes meje dhe doktori Gashi asnjëherë nuk ka kërkuar barna në mënyrë të jashtëligjshme”, deklaroi dëshmitarja.

Gjatë kontrollimit të ordinancës së të akuzuarve Gashi ishte bërë edhe konfisikimi i barnave të cilat përmbanin banderolën e Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas aktakuzës, Kushtrim Gashi dhe Sabahate Gashi nga viti 2001 e deri më 20 maj 2015 në cilësinë e personave zyrtarë, mjekë në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë kanë keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim që vetes t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme në atë mënyrë që, duke keqpërdorur detyrën zyrtare kanë marrë barna nga lista esenciale me qëllim që të njëjtat t’ua shesin pacientëve të cilët i kanë trajtuar në ordinancën e tyre”.

Po ashtu, sipas aktakuzës, të pandehurit pa autorizim kanë ushtruar veprimtari mjekësore në ordinancë specialistike kirurgjike-proktologjike, duke bërë ndërhyrje kirurgjike te pacientët e ndryshëm, edhe pse të njëjtit janë në marrëdhënie pune në QKUK.

http://kallxo.com/deklarohen-te-pafajshem-mjeket-e-akuzuar-per-keqpedorim/

Redaktoi: Naser Sertolli

(Ky artikull ka pësuar ndryshime pasi KALLXO.com ka kuptuar se aktakuza e Prokurorisë ka pësuar ndryshime. Në aktakuzën e re fjala “vjedhur” është zëvendësuar me fjalën “marrë”).