Takimi mes Ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri me Ambasadoren Nataliya Apostolova - Foto: Ministria e Drejtësisë

Tahiri e Apostolova Bisedojnë për Sundimin e Ligjit në Kosovë

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka pritur sot në takim ambasadoren Nataliya Apostolova.

Sipas njoftimit të kësaj ministrie, Tahiri ka njoftuar ambasadoren Apostolova për zhvillimet e rëndësishme legjislative lidhur me agjendën e reformave Europiane.

“Ministri Tahiri gjithashtu shprehu përkushtimin e Ministrisë së Drejtësisë për të avancuar reformën legjislative dhe institucionale dhe për të zhvilluar bashkëpunimin me Zyrën e BE-së që synon forcimin e sundimit të ligjit dhe sistemit të drejtësisë në përgjithësi”, thuhet në njoftimin e MD-së.

Sipas njoftimit, ministri Tahiri e ka njoftuar Apostolovan për përgatitjet që janë duke u bërë për procesin e Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit në Kosovë.

“Ministri Tahiri e falënderoi Zyrën e BE-së për mbështetjen në hartimin e Kodit Civil të Kosovës, duke theksuar se ky Kod Civil është prioritet i mandatit të tij dhe është një nga projektet më të rëndësishme legjislative në vend”, thuhet më tutje në njoftim.

Në anën tjetër, ambasadorja Apostolova ka njoftuar Tahirin për pritjet e BE-së që rrjedhin nga strategjia e saj për Zgjerim në Ballkanin Perëndimor lidhur me sektorin e sundimit të ligjit.

“Ambasadorja Apostolova shprehu gatishmërinë e BE-së për të ndihmuar në zbatimin e agjendës legjislative dhe reformën institucionale veçmas asaj që lidhet me Strategjinë e BE-së për Zgjerim në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në fund të njoftimit të MD-së.