Studentët e Universitetit të Prishtinës të pestët në Europë në garën për të drejtën ndërkombëtare

Një ekip i studentëve të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, që ka përfaqësuar Universitetin në një garë për të Drejtën Ndërkombëtare në Lisbonë të Portugalisë, është ranguar në pozitën e pestë nga gjithsej 21 universitete pjesëmarrëse këtë vit.

Ky ka qenë rundi i organizuar në nivel europian, pjesë e para-garës përfundimtare, e cila zhvillohet në Washington, D.C.

Ekipi i Universitetit të Prishtinës është radhitur para ekipeve të universiteteve europiane si Universiteti i Helsinkit, Universiteti i Lisbonës, Universiteti i Qipros, Universiteti i Luksemburgut, Universiteti Comenius i Sllovakisë, universitetet përfaqësuese të Lituanisë, Estonisë, etj.

Gara është e njohur me emrin “Philip C. Jessup International Law Moot Court Competition”, që këtë vit organizohet për herë të gjashtëdhjetë me radhë.

Është gara më e madhe studentore në fushën e drejtësisë, me pjesëmarrjen e mbi 680 universiteteve (fakulteteve juridike) nga më shumë se 100 shtete të ndryshme nga e tërë bota.

Gara është e organizuar në formën e simulimit të një mosmarrëveshjeje ndërmjet shteteve para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND).

Dhe rundi përfundimtar gjykohet nga vetë gjyqtarët aktualë ose të mëparshëm të GjND-së.

Secili ekip përgatit argumentet me shkrim dhe i prezanton dhe mbron ato edhe gojarisht para paneleve të gjyqtarëve, që janë profesorë dhe ekspertë të fushës.

Ekipi i Universitetit të Prishtinës pritet të udhëtojë në fund të marsit për pjesëmarrje në rundet ndërkombëtare, me mbështetjen e Ambasadës amerikane në Prishtinë.

Ekipi i këtij viti përbëhet nga studentët Blendar Mala, Festa Stavileci, Flaka Fazlija, Flondra Blakçori dhe Rina Mehana.

Trajnerë të ekipit janë Diellza Mujaj dhe Eve-Anne Travers, ish-pjesëmarrëse në të njëjtën garë.

Ekipi këshillohet dhe mbikëqyret nga profesori Qerim Qerimi.