Gjykimi i ish-punonjësve të NLB-së | Foto: KALLXO.com

Sot Shpallet Aktgjykimi për Ish-Punonjësit e Bankës "NLB"

Pas një procesi të  gjatë gjyqësor gjatë të cilit u ndërrua për katër herë radhazi trupi gjykues, sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë pritet që të shpallet aktgjykimi për ish-punonjësit e bankës “NLB”, të cilët po akuzohen se kanë përvetësuar shuma të mëdha parash në mënyrë të kundërligjshme nga klientët e kësaj banke.

Burim Ademaj, Ilir Kryeziu, Maliq Behluli, e Besnik Delijaj akuzohen nga Prokuroria se në vazhdimësi kanë shpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, duke përvetësuar kështu shuma të mëdha të parave nga klientë të ndryshëm që kanë deponuar-afatizuar para me kontratë në Bankën NLB me seli në Suharekë.

Të akuzuarit Burim Ademaj e Ilir Kryeziu përgjatë shqyrtimit gjyqësor kanë hyrë në negocim të marrëveshjes për pranim të fajësisë.

Pas ri-cilësimit të aktakuzës nga ana e Prokurorisë më vonë edhe Miradije Morina i ishte bashkangjitur aktakuzës duke u akuzuar për veprën penale në vazhdimësi përvetësimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare. Por,  gjatë fjalës përfundimtare prokurori vendosi që të heq dorë nga ndjekja penale sa i përket të akuzuarës Morina me arsyetimin se me asnjë provë nuk është arritur të vërtetohet se e kishte kryer veprën penale për të cilën akuzohej.

http://kallxo.com/ish-punonjesja-e-nlb-se-nuk-ndiqet-penalisht/