Foto: KALLXO.com

Sela: Federalizmi, Një Prej Zgjidhjeve më të Mira për Maqedoninë

Kryetari i Strugës, Ziadin Sela, njëherësh edhe Kryetar i Lëvizjes për Reforma në Partinë Demokratike Shqiptare (LR PDSH) ka folur për problemet aktuale në Maqedoni e Kosovë.

Në një intervistë për KALLXO.com, ndër të tjera Sela foli edhe për mundësinë e federalizimit të shtetit maqedonas.
“Federalizmi nuk duhet te jetë mollë e ndaluar dhe term i cili nuk duhet përdorur në Maqedoni. Aq më tepër kur është koncept i shteteve të cilat e kanë zhvilluar demokracinë. Federalizmi është një ndër zgjidhjet më të mira e cila do ta sillte atë për të cilën punojnë të gjithë aktorët politikë në rajon për Maqedoninë” , tha Sela.

Duke folur për situatën politike në Maqedoni, Sela tha se një bashkëpunim me partitë e tjera opozitare për ta larguar nga pushteti BDI-në tashmë është i vonshëm.

“Mendojmë që bashkimi opozitar do të duhej të bëhej dje dhe jo sot. Mendoj që është pak i vonshëm por kurrë nuk është krejt vonë”, deklaroi kryetari I Komunës së Strugës.

Ziadin Sela tutje ka renditur arsyet se pse kanë refuzuar t’i bashkëngjiten protestave të thirrura nga shoqëria civile.

“Ne nuk jemi të interesuar vetëm për t’i lidhë flamujt bashkë në protesta, por jemi të interesuar që ashtu si lidhen flamujt bashkë në protesta ashtu të barabartë të jenë shqiptarët dhe maqedonasit në Kushtetutë dhe ligje”, u shpreh ai.

Gjatë intervistës kreu i Strugës foli edhe për situatën politike në Kosovë. Ai vlerëson se debatin politik opozita do duhej ta bënte në Kuvend.

Sela e ka quajtur skandal ikjen e deputetëve të koalicionit nga Kuvendi për të mbajtur seancë në sallë alternative.

Ai gjithashtu i ka bërë apel opozitës kosovare që të kthehet në Kuvend, sepse sipas tij situata në të cilën gjendet Kosova është tejet delikate, andaj duhet edhe ndihma e tyre.