Ilustrim

Rrahje nën kërcënimin e armës në mes të ditës, policia në kërkim të dyshuarit

Nën kërcënimin e armës një person është sulmuar me mjete të forta mbrëmjen e kaluar në një kafene në fshatin Slivovë të Prishtinës.

Sipas policisë, viktima nga sulmi ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Policia me anë të një njoftimi ka thënë se dje rreth orës 14, kanë marrë informacionin se në QKUK, ka kërkuar tretman mjekësor një person, i cili kishte lëndime të rënda trupore.

“Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, Njësiti i Hetimeve Rajonale  të Drejtorisë së Prishtinës, kanë filluar një varg veprimesh operative –  hetimore që kanë rezultuar me identifikimin dhe arrestimin e një personi të dyshuar, N.V, mashkull , 32 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas hetimeve preliminare dyshohet se personi i arrestuar, bashkë me disa persona të tjerë, gjatë ditës së djeshme në një kafene në fshatin Slivovë të Prishtinës,  nën kërcënimin e armës kanë sulmuar me mjete të forta viktimën duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Aktualisht hetuesit policor janë duke punuar në drejtim të identifikimit dhe kapjes së personave të tjerë të dyshuar, si dhe sqarimit të të gjitha rrethanave që lidhen me rastin,  ndërkohë që me urdhër të prokurorit të shtetit,  personi i arrestuar është dërguar në mbajtje për 48 orë.