Artistët e Drurit Bëhen Bashkë në Muzeun Etnologjik

Dita e Dytë e Javës së Artizanateve ka bërë bashkë në Muzeun Etnologjik zanatlinjtë e drugdhendjes, të cilët për pesë orë kanë demonstruar aftësitë e tyre në artin e gdhendjes së drurit.

Zanatlinj nga Gjakova, Istogu, Prishtina e Peja kanë praktikuar para vizitorëve të Javës së Artizanateve sesi nga drugdhendja krijohen instrumente muzikore si çiftelia, sharkia e fyell e deri tek objekte të ndryshme në miniaturë sikurse sofra tradicionale me stola trekëmbësh nga druri apo kuzhina tradicionale.

Shumica e zanatlinjve kanë më shumë se tri dekada që e praktikojnë këtë zanat dhe për shumicën e tyre drugdhendja është një zanat që e duan ani pse tani nuk ka aq fitim.

“Është një zanat që herë ki punë e herë jo. Por e rëndësishme është që ta mbajmë gjallë”, tha Isuf Haxhijaj, një zanatli i drugdhendjes së instrumenteve muzikore.

Java e Artizanateve për ta është një nga ngjarjet e pakta ku të gjithë zanatlinjtë e këtij lloji dhe vizitorët bëhen bashkë për të parë sesi punohet ne drugdhendje.

Por të jesh një drugdhendës nuk është fare e lehtë. Sidomos kur duhet të sigurosh materialin e parë.

“Çdo herë duhet të dal në mal dhe të siguroj lloje të ndryshme të drunjve të cilët janë të përshtatshëm për të krijuar instrumente të ndryshme. Nganjëherë është zor me i gjet ato”, thotë Avdi Haxha, një tjetër zanatli.

E kolegu i tij që nga drugdhendja krijon kamisha një lloj mjeti tradicional për pirjen e cigares thotë  se tregu i këtyre nuk ka rënë.

“Për kamisha njerëzit shpenzojnë. Kemi kamisha me çmim prej 2 euro deri në 50 euro” , tha Ramadan Balaj.

Por për Fahri Krasniqin që nga druri krijon gjëra e objekte të ndryshme në minitaurë sikurse çifteli ose sharki, puna më e madhe vjen verës kur vijnë në vend kosovarët që jetojnë jashtë shtetit.

“Ata blejnë shumë këso gjëra tradicionale sikurse sofra me shkama ose çiftelia e instrumente të tjera në miniaturë. Prej këtyre kosovarëve që jetojnë këtu nuk ka shumë hair”, thotë Krasniqi.

Gjatë ditës së mërkurë, më 2 korrik, në kuadër të Javës së Artizanteve do të praktikohet zeja e tekstileve si dhe tradita nga ceremoniali i dasmës. Zanatlinj të ndryshëm do të praktikojnë lyerjen e fytyrës si një traditë e grave boshnjake të krahinës së Zhupës.