Liderët e Frontit Demokratik në Mal të Zi. Foto: DF

‘Pajtimi’ mes Çetnikëve e Partizanëve Nxit Debate në Mal të Zi

Aleanca më e fortë opozitare e Malit të Zi, Fronti Demokratik, është akuzuar se po përpiqet të rehabilitojë lëvizjen monarkiste çetnike të kohës së Luftës së Dytë Botërore pasi ndërmori një “deklaratë pajtimi” me partizanët komunistë.

Nënshkrimi i “deklaratës së pajtimit” çetniko-partizane nga katër parti brenda aleancës së opozitës Fronti Demokratik shkaktoi akuza të hënën se kjo ishte një përpjekje për të rehabilituar krimet e çetnikëve gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore dhe për të legjitimuar ideologjinë e tyre.

OJQ-ja Lëvizja Malazeze tha se njerëzit nuk duhet të pajtohen me “ideologjinë hegjemoniste” serbe të çetnikëve, të cilët kundërshtuan pavarësinë e Malit të Zi.

Deklarata për Pajtimin e Pasardhësve të Partizanëve dhe Çetnikëve në Mal të Zi u nënshkrua të shtunën nga katër parti të opozitës dhe tani do t’u ofrohet partive të tjera që ta nënshkruajnë edhe ato.

Milan Knezeviq, një nga liderët e Frontit, e përshkroi atë si një përpjekje për t’i dhënë fund ndasive dhe për të shmangur përballje të tjera ideologjike.

Knezeviq tha gjithashtu se pavarësia e Malit të Zi nuk kishte lidhje me deklaratën, sepse ajo nuk mbështetej as nga çetnikët dhe as nga partizanë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Është gënjeshtër që dihet që lëvizja partizane në Luftën e Dytë Botërore luftoi për një Mal të Zi të pavarur. Lufta partizane synonte të krijonte nj komunitet popujsh jugosllavë dhe një shoqëri drejtësie sociale,” tha ai.

Partizanët jugosllavë, të udhëhequr nga Josip Broz Tito, ishin kryesisht një ushtri komuniste, ndërkohë që çetnikët, e udhëhequr nga gjenerali Draza Mihailoviç, ishin monarkistë.

Të dyja forcat ishin armiq të mëdhenj gjatë Luftës së Dytë Botërore, me partizanët që akuzonin çetnikët për bashkëpunim me gjermanët. Pas pushtimit komunist të Jugosllavisë, çetnikët u ndaluan.

Partia Demokratike e Socialistëve, e cila është aktualisht në pushtet, e dënoi gjithashtu nismën e Frontit Demokratik, duke thënë se ishte zhgënjyese në vitin 2018 të flitej për çetnikët dhe partizanët, përveçse në një kontekst historik.

Parti Demokratike e Socialistëve tha se ishte kundër rihapjes së një teme që shkakton vetëm ndasi brenda shoqërisë.

Fronti Demokratik është kritikuar gjithashtu se po e përdor deklaratën e pajtimit për të shmangur akuzat se është një aleancë e nacionalistëve serbë përpara zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi të cilat do të mbahen më 15 prill.