Putin e Vuçiq. Foto Arkiv

Pa Rusinë, Serbia nuk vendos për Kosovën

Serbia nuk do të marrë asnjë hap për zgjidhjen e statusit përfundimtar për Kosovën pa mbështetjen e Rusisë dhe konsultimet me zyrtarët e saj të lartë.

Sipas gazetës serbe ‘Novosti’ kjo marrëveshje solide është përcaktuar nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe ai serb, Aleksandar Vuçiq gjatë një takimi të diplomatëve të të dy vendeve në Soçi.

Muajt në vijim vlerësohen si vendimtar për të ardhmen e Serbisë, e cila ka mbështetjen e plotë të Kremlinit për propozimet që ajo paraqiti në negociatat me Prishtinën, transmeton lajmi.net.

Gazeta thekson se këto rezultate të cilat rrjedhin nga bisedimet e fundit midis zyrtarëve serbë dhe rusë mbështeten në mesazhet e mëparshme që vinin nga Moska.

Në mënyrë të veçantë, në dhjetor të vitit të kaluar Vuçiq siguroi Putinin se Rusia do të ndërhyjë ne dialogun Beograd-Prishtinë, nëse një gjë të tillë do e bënin Shtetet e Bashkuara të Amerikës.