Në mungesë të objektit, nxënësit e Shkollës së Muzikës “Prenk Jakova” mësimin po e mbajnë në Shkollën e Mjekësisë - Foto: Facebook
Nxënësit e Muzikës Vazhdojnë të Mësojnë në Shkollën e Mjekësisë
Ata kanë kaluar në “Ali Sokoli” nga Shkolla e Mesme Ekonomike në objektin e së cilës kanë qëndruar që nga viti 2013.
Madje për shkak të kushteve të vështira të punës në këtë shkollë mësimdhënësit e shkollës “Prenk Jakova” më 1 shtator të vitit 2015 e kanë bojkotuar mësimin.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, në fillim të vitit 2016 kishte vizituar nxënësit e Shkollës së Muzikës dhe Baletit “Prenk Jakova” kur ata u zhvendosën në Shkollën e Mesme të Mjekësisë “Ali Sokoli”.
Me këtë rastm ai u kishte premtuar që ndërtimi i objektit të ri të Shkollës së Muzikës do të fillojë gjatë vitit 2016, por kjo ende nuk ka ndodhur.
Komuna e Prishtinës nën udhëheqjen e Isa Mustafës me 16 gusht të vitit 2013 e kishte përuruar fillimin e punimeve për objektin e ri të Shkollës së Muzikës.
Me ndërrimin e pushtetit komunal në Prishtinë pas zgjedhjeve lokale në nëntor të vitit 2013, lokacioni i përcaktuar për ndërtimin e objektit të kësaj shkolle u konsiderua i papërshtatshëm.
“Punimet për ndërtimin e shkollës së muzikës “Prenk Jakova” janë ndërprerë në vitin 2014, për disa arsye. Fillimisht, lokacioni i ndarë për ndërtimin e objektit për shkollë të muzikës është vlerësuar si i papërshtatshëm për këtë destinim”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses së Komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu për KALLXO.com.
Objekti i destinuar për Shkollën e Muzikës dhe Baletit “Prenk Jakova” u ridestinua për aneks të Shkollës “Elena Gjika” pasi u vlerësua se ajo kishte nevojë për klasa shtesë.
“Ridestinimi i lokacionit është bërë për aneks të shkollës SHFMU “Elena Gjika” (pasi kjo shkollë ka pasur nevojë për klasa shtesë)”, shtoi Mullafazliu.
Por edhe punimet për aneksin e Shkollës “Elena Gjika” janë ndërprerë në fazën fillestare për shkak të dallimeve të përmasave të objekteve dhe nuk kanë vazhduar më tash e 4 vjet.
“Ka pasur dallim të madh në mes të përmasës së aneksit dhe përmasës së kontraktuar për ndërtimin e Shkollës se Muzikës ‘Prenk Jakova’”, potencoi Miranda Mullafazliu.
Ajo gjithashtu për KALLXO.com tha se janë duke pritur që të tenderohet ndërtimi i aneksit të Shkollës “Elena Gjika”.
“Në ndërkohë pritet që të tenderohet ndërtimi i objektit sipas projektit për ndërtimin e aneksit të Shkollës “Elena Gjika”, thuhet në përgjigjen e saj.
Vlera e kontratës për ndërtimin e objektit të Shkollës së Muzikës dhe Baletit “Prenk Jakova” në vitin 2013 ishte 975 mijë euro.
Ky objekt ishte paraparë që të kishte një hapësirë prej 3 mijë e 275 metra katrorë, kurse ndërtimi i saj parashihej të përfundonte brenda 150 ditëve.
Në shkurt të këtiji viti, KALLXO.com ka raportuar për një seminar të mbajtur në Shkollën “Prenk Jakova” ku pianistët mësonin se si të performojnë edhe nëse kanë lëndime fizike.
http://kallxo.com/pianistet-mesojne-si-ti-tejkalojne-lendimet/
Ndërsa, në janar KALLXO.com xhiroi me kamerat 360 shkallë koncertin në piano të studentëve të profesoreshës Valbona Petrovci që u shfaq si pjesës e programit të fundit të semestrit.
http://kallxo.com/kallxo-360-koncerti-studenteve-te-pianos/