Presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis. Foto: Presidenca rumune

Ministri rumun njofton për hetime për taksat e presidentit

Ministri i Financave i Rumanisë, Eugen Teodorovici, tha se kishte urdhëruar një hetim për agjencinë e taksave dhe agjencitë e tjera të lidhura me të, duke pretenduar se ato nuk e kishin bërë presidentin Klaus Iohannis të paguante rreth 1.2 milionë RON (rreth 260,000 euro) që ai i mori nga dhënia me qira e një shtëpie, të cilën më pas ai e humbi në një çështje gjyqësore.

Pas një gjyqi që zgjati 16 vjet, një gjykatë në Brasov në vitin 2015 urdhëroi Iohannisin t’i kthente përsëri shtetit shtëpinë që kishte blerë në vitin 1999 nga një trashëgimtar i dyshuar.

Gjatë viteve të gjyqit, Iohannis ia kishte dhënë me qira shtëpinë një banke dhe kishte marrë 1.2 milion ron qira, sipas Ministrisë së Financave.

Kreu i agjencisë së taksave, ish-ministri i financës Ionut Misa, tha se ai nuk e kishte urdhëruar Iohannisin të kthente pas paratë, sepse ai nuk kishte marrë dokumentacionin e duhur nga Ministria e Financave.

Iohannis nuk e ka komentuar kurrë këtë çështje dhe zyra e tij nuk ishte menjëherë në gjendje t’i përgjigjej pyetjeve të BIRN-it.

Shtëpia në Sibiu u përdor prej vitesh nga qiramarrës që ia paguanin qiranë shtetit sepse trashëgimtarët e saj nuk mund të gjendeshin.

Pasi Iohannis dhe gruaja e tij e blenë atë në vitin 1999 nga një trashëgimtar i dyshuar, ish-qiramarrësit ngritën padi. Iohannis e humbi çështjen në vitin 2015, kur gjyqtari ia riktheu pronën shtetit rumun.

Iohannis ka kërkuar një anulim të vendimit të gjykatës që mohoi të drejtat e tij pronësore mbi shtëpinë.

Ministri i Financave tha se gjatë gjyqit 16-vjeçar, nga viti 1999 deri në vitin 2015, Iohannis ia dha me qira shtëpinë një banke dhe duhet t’ia kthejë shumën shtetit.

Teodorovici i tha një program televiziv në kanalin e lajmeve Antena3 se ai donte të dinte se pse agjencitë shtetërore nuk e zbatuan ligjin gjatë gjithë kësaj kohe.

Ai gjithashtu kërcënoi se do të pushonte nga puna kreun e agjencisë tatimore, ish-ministrin e financave Misa, që nuk ka vepruar më herët me Iohannisin.

Ai gjithashtu tha se i kishte kërkuar Ministrisë së Drejtësisë të verifikojë se përse prona ende nuk ishte regjistruar si pronë shtetërore, edhe pse Iohannis e kishte humbur padinë.

“Ka dy gjëra që mund të ishin bërë prej shumë vitesh,” tha Teodorovici.

Çështja e shtëpisë në Sibiu, qyteti i Transilvanisë ku Iohannis ishte kryetar bashkie para se të kandidonte për postin e presidentit në vitin 2014, është shfaqur si një çështje fushate për Social Demokratët në pushtet, marrëdhëniet e të cilëve me presidentin janë të tensionuara.

Presidenti Iohannis, një ish-liberal, ka kundërshtuar ashpër nxitjen e social demokratëve për të zbutur legjislacionin anti-korrupsion dhe për të shkarkuar nga detyra kryeprokuroren kundër korrupsionit, Laura Codruta Kovesi.

Iohannis e shkarkoi me vonesë Kovesin më 9 korrik, një muaj pasi Gjykata Kushtetuese urdhëroi që ai të respektojë kërkesën e Ministrit të Drejtësisë. Kjo vonesë i zemëroi social demokratët.

Iohannis nuk është hetuar asnjëherë për korrupsion, ndërsa kreu i social demokratëve Liviu Dragnea është dënuar në dy raste që lamë lidhje me korrupsion dhe është gjithashtu nën hetim për shpërdorimin e supozuar të fondeve të BE-së.

Megjithatë, në maj 2018, OJQ-ja LuJu paraqiti një kallëzim kundër Iohannis para Drejtorisë Kombëtare Anti-Korrupsion, DNA, duke e akuzuar atë për përdorimin e dokumenteve të rreme për blerjen e një shtëpie në Sibiu. Prokurorët po hetojnë nëse presidenti mund të ndiqet penalisht.

Më 5 korrik, Dragnea qortoi Misan dhe Teodorovicin se nuk e thirrën Iohannisit që të paguajë borxhin e tij.

“Ka një kallëzim penal kundër Iohannisit që u bë një top ping-pongu midis Drejtorisë Kombëtare Anti-Korrupsion (DNA) dhe prokurorëve në Sibiu, dhe më pas u kthye përsëri te DNA-ja sepse prokurorët kanë frikë,” tha Dragnea. (reporter.al)