Presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis. Foto: Presidenca rumune

Presidenti i Rumanisë propozon kryeministrin e ri

Presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis, e propozoi të hënën udhëheqësin e qendrës së djathtë, Dacian Ciolos, si kandidat për formimin e Qeverisë së re.

Propozimi vjen pak ditë pasi koalicioni qeveritar i Rumanisë, i udhëhequr nga kryeministri Florin Citu, u rrëzua me votë mosbesimi.

Kriza në Qeverinë e mëparshme rumune nisi qysh muajin e kaluar, kur partia e qendrës së djathtë USR u tërhoq nga koalicioni, duke thënë se Citu ka “qëndrime diktatoriale”.

Kryeministri i propozuar, Dacian Ciolos, është udhëheqës i USR-së.

Presidenti Iohannis tha të hënën se detyra urgjente të Qeverisë së ardhshme do të jenë adresimi i valës së katërt të koronavirusit dhe kostot në rritje të energjisë elektrike, përpara sezonit të dimrit.

Të hënën, numri i infeksioneve të reja me koronavirus në Rumani u rrit për më shumë se 9,000, ndërsa 209 veta humbën jetën./REL