SHFMU "Faik Konica" - Foto: KALLXO.com

Mësimi Gjithëditor Pa Rezultate

Fëmijët që kanë mësuar me sistemin gjithëditor në tri shkolla të Prishtinës nuk kanë treguar rezultate të dukshme në ngritje të suksesit.

Këto janë të gjeturat e hulumtimit të Institutit “EdGuard” për pilot-projektin e realizuar në shkollat e Prishtinës, i cili kishte për qëllim përmirësimin e arritshmërisë së nxënësve.

Anila Statovci-Demaj, zëvendësministre e Arsimit ka vlerësuar të gjeturat e hulumtimit si pasqyrë të mungesës së infrastrukturës apo mekanizmave të tjerë për të realizuar me sukses këtë ide.

“Rezultati po tregon se nuk është e lehtë vetëm të ipet një ide dhe ajo të implementohet si e tillë po idetë e reja kërkojnë edhe një sërë mekanizmash të tjerë përcjellës të cilat do ta mbështesin. Pra ne mund të kërkojmë diçka të re atëherë kur i kemi siguruar edhe mekanizmat e tjerë”, konstatoi Statovci-Demaj.

Në anën tjetër, Arbërie Nagavci, drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Prishtinës, tha se vlerësimi i mirëfilltë do të mund të bëhej vetëm pas përfundimit të vitit shkollor.

“Ne do të shohim një rezultat konkret pas përfundimit të vitit shkollor, që do të thotë do të krahasohet rezultati i këtij viti me vitin e kaluar, do të krahasohen rezultatet e testit të arritshmërisë dhe rezultatet në aktivitetet e ndryshme që janë bërë në mënyrë që të gjitha të dhënat që i kemi t’i kemi më të detajuara dhe të marrim vendimin për vitin e ardhshëm”, tha Nagavci.

Një ndër problemet e tjera të evidentuara nga hulumtimi është mungesa e infrastrukturës adekuate si dhe e ushqimit cilësor.

Albana Berisha, menaxhere e projektit, tha se ushqimi i pamjaftueshëm ndikon në realizimin e suksesshëm të mësimit gjithëditor.

“Orari i gjatë i mësimit ka ndikuar në nevojën e ushqimit më të shpeshtë te nxënësit. Ushqimi i siguruar nga DKA-ja ka qenë jo i mjaftueshëm dhe jo i shëndetshëm për një orar prej 8 orësh mësim”, tha Berisha.

Mësimi gjithëditor ka filluar në tetor të vitit 2015 në tri shkolla të përzgjedhura në Prishtinë: shkolla”Model”, “Faik Konica” dhe “Afrim Gashi”, ndërsa në këtë pilot-projekt kanë qenë të përfshirë gjithsej 1,563 nxënës.