Objekti i Ministrisë së Arsimit

Vlerësim Ndërkombëtar për Arsim Cilësor

PISA është një Program për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve në lexim, matematikë e shkencë, ndërsa realizohet nën kujdesin e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).

Zëvendësministrja e Arsimit, Anila Statovci-Demaj tha se ky projekt ka një rëndësi të veçantë për ngritjen e cilësisë së arsimit.

“Kosova për herë të parë merr pjesë në një vlerësim të tillë të sistemit arsimor. Rezultatet që marrim nga ky projekt do të na bëjnë të mundur të punojmë intensivisht në përmirësimin apo bërjen e modifikimeve në kurrikulë, me qëllim të përmirësimit të mundësive të mësimdhënies dhe mësimnxënies në sistemin arsimor,” tha Statovci-Demaj.

Ajo gjithashtu deklaroi se nga rezultatet e dala, Ministria e Arsimit do të fillojë të bëjë dhe përgatitjen e teksteve të reja shkollore.

Henriette Kötter, sekretarja e parë e Ambasadës Gjermane në Prishtinë tha se ndihma gjermane për arsimin në Kosovë nuk do të mungojë dhe tregoi se janë të gatshëm të ndihmojnë këtë projekt deri në marrjen e rezultateve.

Ndërsa, ekspertja ndërkombëtare për PISA, Simone Bloem, tregoi se me këtë projekt dëshirohet rritja e cilësisë së sistemit arsimor kosovar.

PISA 2015 në Kosovë po mbështetet nga GIZ-i Gjerman.