Memli Krasniqi - Foto: KALLXO.com

Krasniqi: Deputetët nuk janë njoftuar me kohë për seancë të jashtëzakonshme

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi, tha se deputetët janë njoftuar me vonesë që sot do të mbahet seanca e jashtëzakonshme për debat parlamentar lidhur me zbrazjen e vendit nga të rinjtë.

Krasniqi tha se ftesën e seancës e kanë mbështetur edhe deputetët e PDK-së por sipas tij deputetët sot janë mbledhur për vazhdimin e seancës së planifikuar.

“Keni mujt me i njoftu deputetët që kjo seancë të mbahet më herët. Deputetët nuk kanë qenë të njoftuar me kohë për këtë seancë ftesa ka ardh para 20 minutave me e-mail. Shumica prej neve nuk janë në mënyrën më të mirë të përgatitur për të diskutuar. Shpresoj që nuk është qëllimi me kriju lajme ditore dhe me kriju statuse për Facebook. Por që s’jam i sigurt që substanca e diskutimeve do të jetë e duhura pasi që nuk kemi qenë të informuar me kohë”, tha Krasniqi.

Krasniqi është shprehur i interesuar që të bëhet një rezolutë e përbashkët kontrete për përmirësim të situatës.

Ai ka vlerësuar se fenomeni i ikjeve nuk është fenomen i ri.

“Nuk do të flas shumë për temën por dua të shprehi qëndrimin e PDK-së që jemi të interesuar që të dakordojmë një rezolutë konkrete që mund të propozoj hapa për përmirësim të situatës me theks të veçantë te të rinjtë”, tha Krasniqi.

Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës tha se vazhdimi i seancës e cila ishte paraparë të mbahet sot është shtyrë për të hënën.