Gjykimi për Prodhim të Ndaluar të Barnave

Sejdë Tolaj e Remzije Thaçi dëshmuan në gjykimin e tre zyrtarëve të Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale që akuzohen për keqpërdorim te detyrës zyrtare dhe drejtorit të një kompanie që ngarkohet për prodhim të ndaluar.

Dy dëshmitarë dhanë dëshminë e tyre, në gjykimin në të cilin të akuzuar janë tre ish-zyrtarë të Agjensionit Kosovar të Produkteve Medicinale (AKPM ) që akuzohen si dhe drejtorit të një kompanie që akuzohet për prodhim të ndaluar.

Bersan Kolgeci, Ilir Dushi dhe Haki Ejupi nga prokuroria akuzohen që si persona zyrtarë në AKPPM, lëshuan 435.124 banderola të barnave për kompaninë “Prima Pharm”, drejtor i së cilës është i akuzuari tjetër Edon Hajrullaga.

Sipas prokurorisë Bersan Kolgeci që ishte drejtor i Departamentit Ligjor në Agjencinë e Produkteve Medicinale i kishte rekomanduar drejtorit të administratës së kësaj agjencie që t’i lëshonte banderola për 18 produkte medicinale kompanisë “Prima Pfarm”, duke i mundësuar asaj që t’i nxjerrë në treg barnat e importuara nga Kina me datën 23 mars 2013.

Prokuroria pretendon se Kolgeci nuk është dashur ta lëshonte një rekomandim të tillë për arsyen se sipas saj kompania “Prima Pfarm” nuk ka qenë e certifikuar me PMP- Praktikën e Mirë Prodhuese.

Këto pretendime të prokurorisë janë mohuar nga të gjithë të akuzuarit.

Me qëllim të vërtetimit të pretendimeve të prokurorisë në seancën u ftuan dëshmitarët Sejdë Tolaj dhe Remzije Thaçi.

Dëshmitari Sejdë Tolaj ishte drejtor i Departamentit të Buxhetit dhe Financave në AKPPM dhe kishte nën mbikëqyrje Zyrën e Lëshimit të Banderolave, ndërsa tha se nuk e kishte pasur të qartë rekomandimin për lëshimin e banderolave.

“Sa i takon përmbajtjes së rekomandimit unë si e kam pranuar, e kam lexuar edhe e kam pa që drejtori ligjor është thirrur në një numër të dokumenteve, si procesverbale, por të cilat të dokumentuara nuk i kam pasur të bashkëngjitura në rekomandim dhe unë pastaj i kam dërguar e-mail drejtorit të Zyrës Ligjore dhe i kam kërkuar të gjitha dokumentet për me ditë se a është i bazuar ai rekomandim apo jo dhe unë sot e asaj dite nuk i kam ato dokumente që i kam kërkuar,” tha Tolaj.

Dëshmitari më tej tregoi se nga ai përmes rekomandimit ishte kërkuar të njoftonte zyrën e banderolave për lëshimin e tyre.

“Nga unë është kërkuar ta njoftoj Zyrën e Banderolave që kompanisë në fjalë t’i lëshohen ato banderolat për produkte medicinave,” tha Tolaj.

Tolaj më tej në dëshminë e tij tregoi se lidhur me këtë çështje kishte biseduar edhe me kryeshefin e agjencisë.

“Kam pritur deri sa të kthehet kryeshefi dhe së bashku me zyrtarin e banderolave, Arian Zenelin kemi shkuar dhe jemi takuar zyrtarisht me kryeshefin, e kemi marrë edhe rekomandimin me vete për ta njoftuar se a është në dijeni me përmbajtjen e këtij rekoamdnimi,” tha Tolaj.

Dëshminë e saj në këtë seancë e dha edhe Remzije Thaçi.

Pas përfundimit të seancës, Nikë Shala avokati i të akuzuarit Ilir Dushi tha se deri më tani gjatë procesit, por edhe gjatë dëshmisë së dy dëshmitarëve të sotëm nuk është vërtetuar qëbrojturi i tij ka ndonjë lidhje me atë për të cilën akuzon prokuroria.

“Gjithë procesi por edhe dy dëshmitarët e sotëm, vetëm se vërtetuan se i mbrojturi im nuk ka pasur asnjë lloj përfitimi për veten apo për dikë tjetër në këtë rast. I mbrojturi im gjithashtu në pyetjen e bërë dëshmitarit se lidhur me rekomandimin a kishte pasur urdhër me shkrim apo gojor, vërtetoi se ai asnjëherë nuk ka dhënë ndonjë rekomandim me shkrim për dhënien e banderolave, këtë gjithashtu e vërtetoi edhe dëshmitari që tha se nuk ka pranuar ndonjë rekomandim me shkrim, por vetëm gojor,” tha Shala për KALLXO.com.

Seanca e radhës do të mbahet në muajin mars.