MSA, Fazë e Re Për Kosovën

Kosova ka nisur sot implementimin e Marrëveshjes për Stabilizim- Asocim me Bashkimin Evropian, dokumentin më të rëndësishëm të miratuar deri më tani në rrugën e Kosovës drejt këtij unioni.

Solemnisht, hyrja në fuqi e marrëveshjes është bërë në Doganat e Kosovës ku kryeministri Isa Mustafa dorëzoi dokumentin e MSA-së një qytetari të Kosovës.

Mustafa tha se Kosova po kalon në një fazë tjetër të zhvillimit politik, social dhe ekonomik.

“Kjo marrëveshje synon ta mbështesë tranzicionin ekonomik të Kosovës si dhe ta forcojë integrimin e saj në tregun e përbashkët të Bashkimit Evropian gjatë një periudhe kohore jo më të gjatë se 10 vjet nga dita e sotme”, tha Mustafa.

Sipas Mustafës, deri më tash marrëdhëniet tregtare në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian kanë qenë të përcaktuara përmes masave tregtare autonome ndërsa që nga sot do të hiqen barierat në sasi dhe vlerë për kompanitë kosovare.

“Kompanitë kosovare që nga sot mund të eksportojnë produktete e tyre me shpenzime shumë të ulëta krahasuar me shpenzimet me të cilat kanë operuar deri më tani dhe pa bariera administrative”, shtoi shefi i qeverisë.

Kryeministri tha se përmes kësaj marrëveshje synohet thithja e kapitalit të huaj në Kosovë që, sipas tij, do të sjellë vende të reja të punës si dhe rritje të zhvillimit ekonomik e mirëqenie sociale.

Drejtori i Doganave të Kosovës Lulzim Rafuna, tha se dogana do të jetë edhe partner i bashkëpunimit administrativ me 28 administrata doganore të Bashkimit Evropian.

“Dogana e Kosovës që nga sot po kalon në një nivel më të lartë të avancimit si në aspektin e llogaridhënies ndaj institucioneve të vendit poashtu edhe të profesionalizmit dhe integrimit europian” u shpreh Rafuna.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu tha se marrëveshja nuk është një shkop magjik për zgjidhjen e problemeve por duhet përkushtim dhe angazhim.

“Është një mundësi që të konkurohet në një treg prej 500 milionë konsumatorëve, një partneritet i ri me 28 shtete anëtare në familjen evropiane dhe dua të besoj se ky është ai qëllimi që e kemi pasur me vite të tëra”, tha Gërxhaliu.

Marrëveshja për Stabilizim Asociim rezulton në marrëdhënie më të mira tregtare me vendet e Bashkimit Evropian, por që fokusohet në reformimin jo vetëm të fushave që do mundësojnë tregtinë e lirë me BE-në dhe rajonin, por edhe fushat që kanë të bëjnë me bashkëpunimin rajonal, dialogun politik rajonal, drejtësinë dhe punët e brendshme.

Në tetor të vitit të kaluar kjo marrëveshje ishte nënshkruar Strasburg në mes të Zëvendës Presidentes të Komisionit Evropian Federica Mogherini dhe Kryeministrit të Kosovës Isa Mustafës dhe pak ditë më vonë qe ratifikuar në Kuvend.

Kjo marrëveshje u miratua nga Parlamenti Evropian në Janar të këtij viti.

http://kallxo.com/parlamenti-evropian-miratoi-msa-ne-me-kosoven/