Shkolla e Mesme e Mjekësisë në Mitrovicë | Foto: KALLXO.com

Drejtoria e Arsimit në Vushtrri kërkon regjistrimin e vajzës së ish të burgosurit politik në Mjekësi

Drejtori Komunal për Arsim në Vushtrri, Afrim Namani ka dërguar rekomandim për regjistrim të një nxënëseje, në Shkollën e Mesme të Mjekësisë “Xheladin Deda” në Mitrovicë.

Sipas këtij drejtori komunal, ky lloj rekomandimi është praktikë e cila përdoret për regjistrim në shkollë, fakultet apo punë.

Ndërkohë, që drejtori i Shkollës së Mesme të Mjekësisë në Mitrovicë, Gani Rama ka deklaruar për KALLXO.com se e ka regjistruar këtë nxënëse, vetëm pas rekomandimit që ka pranuar.

Në dokumentin që ka siguruar KALLXO.com, shihet se rekomandimi për regjistrim është dërguar nga Drejtori Komunal për Arsim, Afrim Namani me datën 27 shtator të vitit 2018 për drejtorin e Shkollës së Mesme të Mjekësisë.

Rekomandojmë drejtorisë së shkollës SHMM “Xheladin Deda” në Mitrovicë, të regjistrojë nxënësen R. Ilmi Zekolli, në klasën e X-të, të kësaj shkolle, pasi që është vajzë e të burgosurit politik. Si dëshmi bashkëngjisim vërtetimin e Shoqatës së të burgosurve politikë, dega në Vushtrri”, thuhet në rekomandim.

Kushtet dhe kriteret për shpallje të konkursit nga DKA-të, për regjistrimin e nxënësve në klasën e dhjetë, në arsimin e mesëm të lartë për vitin shkollor 2018/2019, sipas listës së distribuimit, nga Departamenti për Politikat e Arsimit Parauniversitar në MAShT janë këto;

Për regjistrimin e nxënësve në klasën e 10-të, të gjimnazeve dhe të shkollave profesionale për vitin shkollor 2018/19, mund të konkurrojnë kandidatët, të cilët e kanë mbaruar arsimin e obligueshëm dhe nuk janë më të vjetër se 17 vjeç.

Ndërkohë, që nxënësit për të konkurruar për regjistrim në klasën e 10-të, në gjimnaze dhe shkolla profesionale duhet të paraqesin fletëparaqitjen (e cila merret në shkollën në të cilën konkurron), dëftesën origjinale për kryerjen e shkollës së mesme të ulët (6-9) dhe certifikatën e lindjes.

Në konkursin e shpallur nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Mitrovicë, afati për paraqitjen e dokumenteve ishte me datën 18, 19, 20 dhe 21 qershor të vitit 2018, ndërkohë që rezultatet për pranimin e nxënësve shpallen në shkollat përkatëse me datën 26 qershor 2018.

Data e rekomandimit për regjistrim të nxënëses, nga Drejtori Komunal për Arsim, Afrim Namani, është 27 shtator të vitit 2018, që nënkupton se nxënësja kishte shkuar për t’u regjistruar në këtë shkollë, një muaj pas fillimit të procesit mësimor.

Përmes telefonit, drejtori i Shkollës së Mesme të Mjekësisë në Mitrovicë, Gani Rama ka thënë për KALLXO.com se nxënësja në fjalë është regjistruar në shkollën që ai drejton, pasi kishte pranuar rekomandimin për regjistrimin e saj.

Nxënësja është e regjistruar në shkollë. Ka ardhur me rekomandim nga komuna e Vushtrrisë dhe më pas i ka vijuar të gjitha procedurat. Më ka dorëzuar rekomandimin dhe dokumentet tjera se ndryshe se kisha pranu”, ka thënë Rama.

Drejtori Komunal për Arsim, Afrim Namani ka thënë për KALLXO.com se arsyeja e dhënies së këtij rekomandimi, ka qenë kërkesa e nxënëses për regjistrim në këtë shkollë, meqenëse në Vushtrri nuk ka shkollë të tillë.

I pyetur se a e cilëson ndërhyrje këtë lloj rekomandimi, ai ka deklaruar se ‘ky rekomandim është si çdo tjetër që jepet për punësim apo për regjistrim në fakultete’.

Meqë shkolla ku nxënësja është regjistruar, nëse veç është regjistruar sepse nuk kam informata të mëtutjeshme se çka ka ndodhur, ndodhet jashtë zonës së përgjegjësisë së DKA-së në Vushtrri. Në asnjë rast nuk mund të thuhet se një rekomandim mund të ndikojë në përzgjedhjen e nxënësve për t’u regjistruar në shkollë”, ka thënë Namani.

Ai ka thënë tutje se edhe nga vetë përkufizimi i termit rekomandim, kuptohet se është mendim me shkrim që i jepet dikujt për cilësitë e mira por që sipas Namanit, nuk ka karakter obligativ për të marrë vendim.

Babai i kësaj nxënëse, Ilmi Zekolli ka thënë për KALLXO.com se ai kishte kërkuar prej drejtorit të Arsimit, Afrim Namani që ta shkruante këtë rekomandim.

Mirëpo sipas tij, nuk e njeh personalisht drejtorin Namani.

“Nuk kam kurrfarë lidhje me të, vetëm s’e pranojshin atje. Jam shku i kam thanë se vajza kish dëshirë shumë me u pranu edhe për ata kam shku te ai drejtori, se kështu as nuk e njoh. Disa letra të miat që mi kanë lyp i kom çu, e tash krejt në rregull është. Kam folë edhe me drejtorin e shkollës atje, më ka thanë letrat i ki, krejt në rregull është”, ka thënë Zekolli përmes telefonit.