Drejtori i Dënuar Ende në Zyrë

Drejtori komunal i Arsimit në Dragash, Hajri Ramadani, qe gjashtë muaj po e ushtron detyrën e tij pavarësisht një vendimi të konfirmuar të gjykatës që ia ndalon këtë gjë.

Në maj të këtij viti ai ka marrë një vendim të formës së prerë të Gjykatës së Apelit e cila e konfirmon aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren që e nxori fajtor në akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Gjykata në Prizren, në dhjetor të vitit të kaluar, e kishte dënuar Ramadanin me 1 vit burg me kusht, dënim i cili nuk do të ekzekutohet nëse brenda dy viteve nuk kryen tjetër vepër penale. Atij i ishte shqiptuar edhe një dënim plotësues për mosushtrim të funksioneve në administratën publike ose në shërbime publike në kohëzgjatje prej 2 viteve.

Ai thotë se nuk e ka ndërmend ta lëshojë pozitën në komunë.

“Pa ardhë vendimi i Gjykatës Supreme unë jam ende drejtor legjitim për arsye se vendimet e Inspektoratit të Arsimit, të cilat nuk i ka marrë parasysh gjykata dhe prokuroria e Prizrenit, janë vendime të paligjshme dhe janë vendime që do të shihen më vonë se kush është fajtori”, thotë Ramadani për KALLXO.com

Kryetari i komunës së Dragashit, Salim Jenuzi, që e ka emëruar Ramadanin në këtë pozitë, thotë se ai është në dijeni për plotfuqishmërinë e këtij aktgjykim, por nuk ka marrë asgjë zyrtare nga Gjykata Themelore në Prizren.

“Si person jemi në dijeni, por si zyrtar, vendim të gjykatës, qoftë ajo themelore, qoftë ndonjë gjykate, ende komuna nuk ka marrë. Thjesht nuk dimë çka me tutje, si të veprohet. Me siguri për këtë ekziston edhe ligji mbi ekzekutimin e vendimeve, por si kryetar i komunës nuk jam në dijeni, pra zyrtarisht ende nuk kemi asgjë”, thotë Jenuzi.

Ai tha se do të veprojë “sipas ligjit” në momentin që do ta pranojë aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit.

Por, drejtori i tij e ka marrë aktgjykimin dhe ndaj tij ka bërë kërkesë për mbrojte të ligjshmërisë.

“Unë aktgjykimin e Gjykatës së Prizrenit e kam pranuar dhe jam ankuar në gjykatë Supreme, për shkaka të shkeljes së ligjshmërisë, që e ka bërë gjykata e Prizrenit, së bashku me prokurorin”, thotë ai.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prizren, Afërdita Kicaj, tha për KALLXO.com se gjykata këtë aktgjykim ua ka dërguar vetëm palëve në kontest, e jo kryetarit të komunës.

Por këtë gjykata ka thënë se e ka bërë të enjten, vetëm pasi KALLXO.com është interesuar të pyesë për këtë rast.

Selim Kryeziu nga LDK, parti opozitare në Dragash thotë se pushteti komunal është bërë imun ndaj ligjit.

“Nëse nuk vjen organi kompetent me kap, kushtimisht, për veshi. Për çështje morali edhe 500 vjet aty rrin. Po të kishte moral, nuk do të ndodhte kjo. Është vendimi i gjykatës dhe po të shkosh të bisedosh me njërin ka me thënë se unë nuk largohem prej këtu”, thotë Kryeziu.