Deputetët takohen me grevistët në Pallatin e Drejtësisë

Një delegacion i Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, në përbërje: Albulena Haxhiu, kryetare, Hajdar Beqa, zv/kryetar, Sami Kurteshi dhe Korab Sejdiu, anëtarë, vizitoi sot Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë.

Qëllimi i kësaj vizite ishte njoftimi për së afërmi me kërkesat e punëtorëve të administratës së gjykatave dhe prokurorive, të cilët kanë hyrë në grevë, ka njoftuar zyra për media e Kuvendit të Kosovës.

Në bëhet e ditur se Këshilli grevist i ka njoftuar anëtarët e Komisionit se nga data 4 korrik, kur edhe ka filluar greva, nuk kanë pasur asnjë vizitë nga niveli qeveritar.

Përfaqësues të Këshillit grevist i kanë njoftuar anëtarët e komisionit me kërkesat e grevistëve, të cilat kanë të bëjnë me ngritjen e pagave, rregullimin e statusit të veçantë të tyre, si dhe përvojën e punës, në mënyrë që, sipas tyre, të kthehet dinjiteti i punëtorëve në gjykata dhe prokurori.

Në njoftim thuhet se anëtarët e komisionit, duke i cilësuar si të drejta kërkesat e punëtorëve, ofruan mbështetjen e tyre dhe kërkuan që këto kërkesa të plotësohen sa më parë.

“Anëtarët e Komisionit dhe Këshilli grevist u dakorduan që nesër, në orën 12:00, të mbahet një takim i përbashkët në ndërtesën e Kuvendit, ku i ftuar do të jetë edhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj dhe Naim Shala, kryetar i Sindikatës së Grevistëve”, përfundon njoftimi nga Kuvendi i Kosovës.​