Albin Kurti në DebatPernime. Foto: Atdhe Mulla

Çfarë do të Bëjë Kurti me Demarkacionin dhe Asociacionin?

Kandidati për Kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti paraqiti planet konkrete të programit të tij qeverisës për Demarkacionin me  Malin e Zi dhe Asociacionin e Komunave Serbe.

Kurti në një intervistë ekskluzive me Jeta Xharrën në #DebatPernime dha detaje se si planifikon të veprojë me këto dy çështje të hapura që ishin edhe disa prej arsyeve të rrëzimit të legjislaturës së pestë në Kosovë.

Ai tha se do të zhvillojë një hetim të detajuar të marrëveshjes aktuale për demarkim të kufirit me Malin e Zi si dhe do të fillojë bisedime me këtë shtet rreth kësaj marrëveshjeje.

“Së pari do të bëjmë një hulumtim, hetim të asaj se çfarë ka bërë nuk ka bërë komisioni paraprak në krye me zotëri Mehën. Ai ka negociuar mbi bazë të gabueshme, me procedurë të mbrapshtë dhe ka nxjerrë rezultate të dëmshme dhe menjëherë do të fillojmë kontaktet e drejtpërdrejta me Podgoricën zyrtare në mënyrë që të kemi përcaktim të kufirit. Nuk jemi kundër demarkacionit por jemi kundër demarkacionit pa demilitim që nuk është përcaktim kufiri por ndryshim kufiri”, tha Kurti.

Ai gjithashtu konsideron se opozita e ardhshme nëse LVV do të merr drejtimin e qeverisë, do të jetë pjesë e rëndësishëm e marrjes së vendimit për demarkacionin dhe çështje të tjera.

“Ne konsiderojmë që opozita është pjesë shumë e rëndësishme e parlamentarizmit dhe e demokracisë dhe nuk jemi për republikë qeveritare por për republikë parlamentare. Me datën 11 qershor Lëvizja Vetëvendosje fiton dhe do të bashkëpunojë me opozitën e ardhshme”

Bartësi i Listës së Lëvizjes Vetëvendosje u zotua për veprim edhe për çështjen e asociacionit të komunave serbe.

Ai tha se nuk do të lejojë formimin e këtij asociacioni duke bindur edhe komunitetin serb nëpërmjet bisedimeve se kjo marrëveshje nuk është e dobishme për shtetin.

“Ne jemi të vendosur që të bëjmë decentralizim në Kosovë mbi baza zhvillimore e jo mbi baza etnike dhe ti shohim serbët si qytetarë të republikës me funksionet e tyre sociale dhe jo vetëm me identitetin e tyre kombëtar. Pra nuk mund të ketë diçka që i përngjan Republikës së Serbisë. E kemi vendimin e Gjykatës Kushtetuese të 23 dhjetorit të vitit 2015, e kemi peticionin me 205 mijë nënshkrime, demonstratat më të mëdha në kohën e pasluftës. Me serbët lokalë do të fillojmë dialogun shoqërorë për zhvillim dhe asisoj, shqiptarët, serbët, turqit, boshnjakët, romët, egjiptasit, ashkalinjtë të integrohen në universitete, në fabrika, në punë, në shoqëri e jo ta synojmë integrimin nëpërmjet tolerancës ndëretnike, decentralizimit etnik e kështu me radhë”, vlerësoi Kurti.

Kurti bëri këto komente në kuadër të edicionit të fundit të serisë ‘Debat Pernime’, ku janë shpalosur programe politike për tema të ndryshme në të gjitha ditët e fushatës zgjedhore.

Lëvizja Vetëvendosje garon e vetme në zgjedhjet e 11 qershorit.