Albin Kurti në DebatPernime. Foto: Atdhe Mulla

Çfarë i Pret Gjykatësit e Prokurorët me Kurtin Kryeministër?

Kurti në një intervistë ekskluzive për emisionin “Jeta në Kosovë” radhiti disa benefite që sipas tij do ti gëzojnë gjykatësit dhe prokurorët pas kontrollit të përgjithshëm të sistemit të drejtësisë.

“Prokurorët dhe gjykatësit duhet të shtohen për nga numri dhe gjithashtu duhet të shtohet numri i truprojave dhe i xhipave të blinduar për ta, duhet të shtohet numri i bashkëpunëtorëve profesionistë, duhet të shtohen trajnimet për ta dhe nuk është në rregull që një prokuror ti ketë katër seanca gjyqësore në ditë e të mos i kuptojë mirë as lëndët e veta. Gjithashtu duhet ta kemi procesin e Vetingut nëpërmjet një ligji të veçantë, vlerësim i hollësishëm për prokurorët dhe gjykatësit edhe për ligjin antimafia”, tha Kurti.

Ai gjithashtu dha detaje se si do të veproj me Gjykatën Special tashmë të themeluar që do të merret me krimet e luftës në Kosovë.

Ai vlerësoi se jo transparenca e kësaj gjykate është e papranueshme dhe për këtë Kurti konsideron se duhet të shkohet në bisedime me faktorët ndërkombëtarë.

“Gjykata Speciale është një ngrehinë të cilën nuk e kanë të qartë e të përfytyruar saktë as ata të cilët e kanë nisur. U bënë dy vjet që e kanë filluar Gjykatën Speciale dhe thjeshtë askund nuk jemi tek Gjykata Speciale…Gjykata speciale e cila edhe ashtu është një solucion sui generis i padrejtë dhe unë besoj i pazbatueshëm”Me faktorët ndërkombëtarë do të fillojmë menjëherë bisedimet për shkak se ka mungesë absolute të transparencës se çfarë po synohet. Duhet të fillojmë të shohim se çfarë do të bëjnë ata, pra ekziston një terr informativ sa i përket Gjykatës Speciale, për neve është e papranueshme kjo situatë”, deklaroi Kurti.

Kurti po ashtu u zotua për çkapje të shtetit që sipas tij do të fillojë me çlirimin e sistemit të drejtësisë.

Kurti bëri këto komente në kuadër të edicionit të fundit të serisë ‘Debat Pernime’, ku janë shpalosur programe politike për tema të ndryshme në të gjitha ditët e fushatës zgjedhore.

Lëvizja Vetëvendosje garon e vetme në zgjedhjet e 11 qershorit.