Albin Kurti në Debat Pernime. Foto: Atdhe Mulla

Albin Kurti si Kryeministër dhe Simbolet e Shtetit të Kosovës

Kurti në një intervistë ekskluzive për emisionin “Jeta në Kosovë”, tha se i njeh dhe i ka njohur simbolet shtetërore por për të ato janë simbole pa substancë.

“Është bërë shumë kritikë e sulm për Vetëvendosjen, për mua kjo është dëshmi se nuk mund të na sulmojnë më diku tjetër dhe ne jemi më shumë për substancën se sa për sipërfaqen e simbolet e le të themi ambalazhin. Është kompensim psikologjik i shumë qytetarëve tanë, unë e kuptoj që duan të përqendrohen tek simbolet kur na ka humbur substanca, le ti kthehemi substancës. Aty e kam gjetur flamurin e Kosovës, ne e pranojmë si stemë në universitete, asnjëherë nuk e kemi dëmtuar apo cënuar flamurin e Kosovës”, tha Kurti.

Ai gjithashtu bëri thirrje që të largohet mendësia që sipas tij rrit simbolet si një kompensim psikologjik për mungesën e substancës së shtetit.

“Si kryetar i komisionit parlamentar për punë të jashtme e kam pasur në tavolinë flamurin e Kosovës nuk e kam hequr asnjëherë por aman çlirohuni këtij kompensimi psikologjik që e zëvendëson mungesën e substancës me njëfarë inflacioni të simboleve”, tha Kurti.

Bartësi i listës së Lëvizjes Vetëvendosje gjithashtu theksoi që do të mbajnë raporte të mira me ndërkombëtarët por sipas tij duke i ikur servilitetit.

“Vevetëvendosje do t’i ngritë bashkëpunimet me faktorët ndërkombëtarë me një rang të ri, me ç’rast nuk do të ketë kurrë armiqësi po as servilitet”, deklaroi Kurti.

Kurti bëri këto komente në kuadër të edicionit të fundit të serisë ‘Debat Pernime’, ku janë shpalosur programe politike për tema të ndryshme në të gjitha ditët e fushatës zgjedhore.

Lëvizja Vetëvendosje garon e vetme në zgjedhjet e 11 qershorit.